Maqedoni
Publikohet deklarata e partive shqiptare
07.01.2017 16:57
Publikohet dokumenti I përbashkët BDI-së, Koalicionit Rilindje me Besë, Aleancës për Shqiptarët...

Tre partitë në shtatë pika kryesore angazhohen për: arritjen e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën ku midis tjerash thuhet se kushtetuta e Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.
Gjithashtu theksohet edhe përfshirja e tyre në debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetëtore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.
Më tej kërkohet arritje e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal ku parashikohet formimi I komisionit shtetëror për financim të komunave dhe krjimi I një Ministrie për Sistem Politik dhe Marredhenie midis Komuniteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara.
Partitë angazhohen për përforcimin e sundimit të së drejtës duke e përkrahur punën e paanshme të Prokurorisë Speciale, pa paragjykime etnike dhe politike si dhe të zbardhen plotësisht çështjet dhe proceset gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare.
Më pas në dokument partitë janë dakorduar për krijimin e një fryme mirëbesimi midis komuniteteve, zgjidhjen e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, kyçjen e shqipëtarëve në bisedimet greke për emrin, marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe integrimin e shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian duke u përmbushur pikat e mësipërme që bllokojnë proceset eurointegruese.
Veç kësaj, Deklarata obligon partitë shqiptare për përfaqësim të drejtë në organet e sigurisë-policisë dhe në ato të drejtësisë.
Gjithashtu, vend të rëndësishëm ka zënë edhe financimi i kulturës dhe aktiviteteve kulturore shqiptare, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Në krye të deklaratës thuhet se liderët janë dakorduar duke respektuar vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë në zgjedhjet e fundit dhe objektivat e dhëna do të përmbushen në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe në çdo mandat tjetër që do të pasojë.
Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikëqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare, e cila do të përcaktonte afatet për realizimin e tyre ndërsa do të funksiononte sipas parimit të rotacionit.
MERAL ISMAILI
