Botë

Protestë në Francë për lirimin e Haradinajt

07.01.2017 17:12

Sot në Francë është mbajtur protestë për të shprehur pakënaqësi ndaj arrestimit të ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj...

Protesta është organizuar nga shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në Francë, përkrahur edhe nga Shoqata “Lëvizja”. Pjesëmarrësit kanë ftuar t’iu bashkohen edhe shqiptarët e ndodhur në Zvicër e Gjermani si dhe vende të tjera të Europës.
 
Protestuesit gjithashtu kërkojnë lirimin sa më të shpejtë të Haradinajt dhe hedhjen poshtë të të gjitha fletë-arresteve që datojnë nga regjimi i Millosheviqit.
 
Ramush Haradinaj është arrestuar në Francë që nga e mërkura. Ndërkohë, Kongresmeni amerikan Eliot Engel e cilëson të papranueshëm ndalimin e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai deklaroi se Franca duhet ta lirojë ish-kreun e UÇK-së sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa Serbisë i bëri thirrje që të mos abuzojë me Interpolin.
 
Kjo situatë nuk ka të bëjë aspak me sundimin e ligjit apo drejtësinë, arsyeton kongresmeni. Gjykatat ndërkombëtare e kanë liruar Haradinajn dy herë, çka duhet të jetë e mjaftueshme për të dëshmuar se çdo akuzë tjetër tashmë nuk ka asnjë vlerë. 
 
 
Ky veprim, në këndvështrimin e Engelit, nxit tensionet dhe rrit gjasat e konfliktit në të ardhmen. Kongresmeni, mik i shqiptarëve, kujton sesi kapitulli 35 i procesit të pranimit në BE i tregon Serbisë që duhet të veprojë në të mirën e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
 
Abuzimi prej saj me Interpolin do të përbënte shkelje themelore e këtij angazhimi dhe BE-ja nuk duhet ta përparojë hyrjen e Serbisë, nëse nuk kthehet në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, shprehet Engel.