Maqedoni
Komiteti drejtues për kriza; Situata është stabile, moti i keq sfidë e mundshme
07.01.2017 18:27
Gjendja në Maqedoni me motin e lig të shkaktuar nga kushtet e pavolitshme meteorologjike, në përgjithësi është e qetë me sfida serioze që janë në pah dhe me mundësi...

Gjendja në Maqedoni me motin e lig të shkaktuar nga kushtet e pavolitshme meteorologjike, në përgjithësi është e qetë me sfida serioze që janë në pah dhe me mundësi ende aktuale për zhvillim negativ të ngjarjeve, posaçërisht nga temperaturat e ulëta të cilat mund të shkaktojnë probleme në furnizimin me energji elektrike dhe ujë, si dhe në komunikacion.
Kjo u theksua në seancën e sotme të Komitetit drejtues për kriza në të cilën zëdhënësi i Qeverisë Aleksandar Gjorçev tha se shërbimet kompetente bëjnë gjithçka që është në dorën e tyre në nivel qendror dhe lokal që të tejkalohen sfidat me të cilat po ballafaqohemi.
"Tashmë është dita e dytë nga cikli i pavolitshëm meteorologjik. Nga ana e të gjitha shërbimeve të cilat janë në terren, personat zyrtar dhe institucionet kompetente është vlerësuar se nata e mbrëmshme ka kaluar me probleme më të vogla nga të djeshmet. Kjo nuk duhet të na relaksojë përkundrazi edhe më tej duhet të qëndrojmë të përkushtuar", tha Gjorgjiev në konferencën e sotme për media, duke theksuar se institucionet kompetente edhe shërbimet profesioniste e vlerësojnë situatën si në përgjithësi stabile me ekzistimin e sfidave serioze të cilat duhet të vëzhgohen edhe me potencial për zhvillim të skenarit negativ.
Nadica Vçkova nga Qendra për menaxhim me kriza potencon se rrugët magjistrale në vend dhe në pjesën më të madhe ato rajonale janë të kalueshme, në kushte dimërore dhe në mënyrë të vështirësuar.
"Sipas informatave të cilat i kemi nga qendrat rajonale për menaxhim me kriza, gjatë 24 orëve të shkuara kaloi relativisht qetë dhe pa probleme më të mëdha... Ka vende në lartësi më të larta mbidetare në disa komuna në të cilat rrugët janë të pakalueshme, si në Rankovc, Shtip, Strugë, Kumanovë, Çuçer Sandevë,... të cilat edhe zakonisht gjatë periudhës së dimrit janë të shkëputura", shprehet Nadica Vçkova nga Qendra për menaxhim me kriza.
Maria Anastasova nga Shërbimi për ndihmë të shpejtë mjekësore e Qytetit të Shkupit theksoi se gjatë ditës së djeshme ka pasur 48, ndërsa sot deri në orën 15:00, 40 intervenime.
"Kemi numër të shtuar të thirrjeve dhe intervenimeve në 24 orët e fundit, megjithatë ishin të zakonshme për periudhën e dimrit. Në periudhën prej orës 8:00 dje deri sot në orën 8:00 janë kryer 148 intervenime, ndërsa sot prej orës 8:00 deri në orën 15:00 40 intervenime prej të cilave nuk pati asnjë fatkeqësi komunikacioni apo fraktura si pasojë e rënies nga lëvizja", shprehet Maria Anastasova nga Shërbimi për ndihmë të shpejtë.
Nga shërbimi për ndihmë të shpejtë thonë se janë të gatshëm në çdo moment tu përgjigjemi thirrjeve të qytetarëve për ndihmë.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
