Poposki në konferencë ministrore BE - Ballkani Perëndimor në Selanik

08.05.2014 12:46

Para fillimit të takimit, Poposki do të ketë mëngjes pune me eurokomisarin për zgjerim, Shtefan Fyle………

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki sot në Selanik do të marrë pjesë në konferencën ministrore BE-Ballkani Perëndimor, që e organizon kryesimi grek me Unionin.

Para fillimit të takimit, Poposki do të ketë mëngjes pune me eurokomisarin për zgjerim, Shtefan Fyle.

Diskutimet e takimit ministror në Selanik do të kenë element politik dhe operativ dhe për këtë arsye janë ndarë në dy sesione.

Ministri Poposki do të marrë pjesë në sesionin e parë, me temë "2004-2014: Dhjetë vite nga zgjerimi dhe integrimi evropian i vendeve nga Ballkani Perëndimor", ku pjesëmarrësit do ta konfirmojnë përkushtimin e BE-së ndaj ardhmërisë evropiane të rajonit përgjatë rrugës së reformave lidhur me BE-në. Gjithashtu do të diskutohet për arritjet dhe sfidat e politikës së zgjerimit në pikëpamje të promovimit të mëtutjeshëm të agjendës evropiane në Ballkanin Perëndimor.

Sesioni i dytë është titulluar "Jashtë nga agjenda e Selanikut: Transporti dhe ndërlidhja energjetike", dhe do t'i kushtohet sektorit energjetik dhe atij të transportit, vlerësim i nevojave nga investimet në infrastrukturën në këto dy sektorë, ndërkaq do të këmbehen edhe mendime për pikëpamjet për vendosjen e kornizës strategjike për bashkëpunim të përforcuar dhe ndihmës financiare.

Ministrat e Punëve të jashtme ndërmjet dy sesioneve do të kenë edhe drekë pune, ku do të bisedojnë për atë se si të përforcohet integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor në kushte reale përmes ndërlidhjes në sektorin energjetik dhe të transportit, në rajon dhe në BE, ndërkohë duke e promovuar zhvillimin, konkurrencën dhe punësimin, paralelisht me procesin e inkuadrimit të secilit vend, ndërsa do të diskutohet edhe për ndërlidhjen në kushte më të gjera gjeostrategjike. (mia)