MPJ e Shqipërisë, hap historik i faktorit politik shqiptar në Maqedoni
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë e ka quajtur ”Hap historik i faktorit politik shqiptar në Maqedoni”, marrrëveshjen e bërë publike sot...

Hapi historik i bashkimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni përbën një moment pjekurie politike, në të njëjtën kohë nevojë urgjente e avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
Republika e Shqipërisë mbështet këtë deklaratë si një kornizë e përbashkët veprimi e faktorit politik shqiptar në Maqedoni në funksion të avancimit të të drejtave, lirive dhe barazive të mundësive mes komuniteteve shtet-formuese në Maqedoni.
Do të vijojmë të inkurajojmë gjithnjë aktorët shqiptarë për të qenë të përgjegjshëm në mbështetje të zhvillimeve demokratike e progresiste.
Mbetet në gjykimin dhe lirinë e tyre për vendimet që do të marrin, aleancat që do të lidhin apo alternativat që do të ndërtojnë.
Maqedonia ka nevojë për një shumicë qeverisëse solide, të qendrueshme e aftë ta nxjerrë vendin nga kriza duke ndërmarrë një proces reformash që do të rinxisin procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik.
Prandaj ne kemi kërkuar dhe punuar për një platformë gjithëpērfshirëse të partive shqiptare në mënyrë që shumica e ardhshme të jetë e qendrueshme dhe t’i ofrojë vendit një program të ri, ambicioz që zhvillon e forcon më tej kohezionin social dhe karakterin shumëetnik e kulturor të Maqedonisë.
”Shqipëria ka qenë dhe vijon të jetë e interesuar për një Maqedoni stabile, funksionale, demokratike dhe të kyçur në rrjedhat euro-atlantike, si dhe do të vijojmë të mbështesim çdo iniciativë në funksion të këtij objektivi”, shkruan MPJ e Shqipërisë.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
