Maqedoni

Platforma e partive shqiptare: LSDM dhe VMRO do të prononcohen pas analizës, E Majta dhe TMRO: Dokumenti provokativ

08.01.2017 15:21

LSDM dhe VMRO – DPMNE nuk prononcohen për platformën e përbashkët të partive shqiptare, para se ta analizojnë atë...

Zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov për TVM2 thotë se do të bëjnë publik qëndrimin e tyre pasi të marrin dhe analizojnë dokumentin.
 
“Ende nuk na është dorëzuar platforma, kur do ta kemi do ta shqyrtojmë dhe më pas do të prononcohemi”, u shpreh Shilegov.
 
Edhe nga partija e Gruevskit me qëndrim të ngjashëm.
 
“Fillimisht duhet ta analizojmë dhe pastaj do të deklarohemi mbi platformën për të cilën janë dakorduar partitë shqiptare”, daklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Ivo Kotevski.
 
Ndërkohë që nga ‘E Majta’ e cilësojnë platformën si provokative në kushtet kur numri më i madh i qytetarëve jetojnënë varfëri.
 
“Është koha që në plan të parë të vendosen çështjet që i tangojnë të gjitha bashkësitë etnike, e ato janë të drejtat sociale. Retorika e këtillë i përshtatet vetëm të pasurve, të cilët duke ngritur tema nacionaliste ikin prej problemeve thelbësore. Është koha që problemet kryesore ti kemi prioritet. Nuk është e mundur të flasim për çfarëdo, kur nuk kemi kushte elementare për jetë”, thuhet në reagimin e partisë ‘E Majta’.
 
Ndërkohë që nga TMRO ftojnë partitë maqedonase të mos pranojnë platformën e cila shantazhon Maqedoninë dhe maqedonasit, sipas tyre me porosi të qarta provokative të përzgjedhjes midis federatës dhe luftës.
 
Ndërkaq koordinatat e dhëna nga Tirana e hapin edhe të drejtën e reciprocitetit në mes këtyre dy shteteve thonë nga kjo parti.
 
MERAL ISMAILI