Botë

Si pasojë e motit të lig, në Evropë vdesin 17 persona

08.01.2017 18:49

Evropa është përfshirë nga një valë të ftohti me temperatura polare që ka shkaktuar të paktën 17 të vdekur në Poloni dhe në Itali...

Moska është përballur me temperaturat më të ulëta në 120 vitet e fundit që kanë arritur në -30°C, gjatë festës së Krishtlindjes ortodokse.

Ndërkohë dhjetë persona kanë vdekur nga i ftohti gjatë dy ditëve në Poloni, ku temperaturat kanë arritur në -20°C në disa zona, ndërsa 7 persona kanë vdekur në Itali nga i ftohti që ka përfshirë vendin që nga dita e premte.

Masat e ftohta të ajrit të ardhura nga vendet skandinave ne Evropën Qendrore kanë shkaktuar të ftohtin e acartë me të cilin po përballen shumë vende, ditët e fundit.

Në Francë për shkak të rrugës së ngrirë një autobus me udhëtarë i cili lëvizte drejt Zvicrrës herët në mëngjes ka dalur nga autostrada me ç’rast jetën e kanë humbur katër portugjezë, ndërsa 27 të tjerë janë lënduar.

Fatkeqësia ka ndodhur në Sharole në autostradën Qendër Evropa Atlantik e cila kalon nëpër Francë dhe konsiderhet vendi më i rrezikshëm në Frencë.

Mbrëmë po ashtu ka ndodhur ndeshje zinxhirore e makinave në autostradën në afërsi të Selonge në të cilën një person ka humbur jetën. Reshjet e dendura të borës përfshinë edhe Stambollin dhe kompania ajrore “Turkish Airlines” anuloi më shumë se 650 fluturime.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu” raportoi se ngushtica e Bosforit, që përshkon mes përmes Stambollin, u mbyll dhe shërbimi i trageteve u pezullua. Sipas mediave, autostradat kryesore në qytetin turk u kthyen praktikisht në një vendparkim makinash, pasi drejtuesit braktisën automjetet e tyre, në pamundësi për të kaluar mes borës dhe rrugëve të rrëshqitshme.

Termometri shënoi -7 gradë Celsius në qytetin e dytë më të madh të Greqisë, Selanik, ndërsa ekspertët paralajmërojnë ulje të mëtejshme. Rrugët u mbyllën përkohëshisht në disa zona në veri të Greqisë për shkak të borës dhe akullit.

VLORA LATIFI-TOPOJANI