Maqedoni
Ivanov ndan mandatin për formimin e qeverisë
09.01.2017 10:10
Sot skadon afati kur presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, duhet t'ia ndajë mandatin kandidatit të partisë për formimin e qeverisë...

Përbërja e nëntë parlamentare e Maqedonisë, e cila ka 120 të zgjedhur të popullit, u konstituua më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Më së shumti deputetë ka koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE, 51.
Koalicioni i kryesuar nga LSDM ka 49 deputetë, BDI 10, BESA 5, “Aleanca për shqiptarët” 3 dhe PDSh 2. Në këtë përbërje parlamentare nuk ka të zgjedhur të popullit nga diaspora për shkak të numrit të pamjaftueshëm të votave të fituara.
Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Presidenti Ivanov këtë fundjavë, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve se kur dhe cilës parti do t'ia ndajë mandatin për formimin e qeverisë, duke pasur parasysh atë që afati po rrjedhë, tha se do të veprojë ashtu siç ceket në Kushtetutë.
Kryeministri për zbatimin e zgjedhjeve, Emil Dimitriev, tha se pret që e tërë procedura të jetë në afatet e caktuara në pajtim me ligjet. BDI, BESA dhe “Aleanca për shqiptarët”, më 7 janar e publikuan platformën e përbashkët, e cila do të jetë bazë në negociatat për krijimin e qeverisë së re.
Agjenda e përbashkët politike e tre partive parasheh barazi të plotë gjuhësore, përkatësisht përdorim të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, barazi ekonomike, zgjidhje e kontestit me emrin me përfshirje të shqiptarëve në grupin punues për negociata të drejtpërdrejta me Greqinë, si dhe integrim të shpejtë në NATO dhe Bashkimin Europian.
