Botë
Bisedimet për Sirinë, Assad gati të bisedojë për dorëheqjen
09.01.2017 12:01
Presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka bërë të ditur se qeveria e tij është e gatshme të negociojë “gjithçka”...

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka bërë të ditur se qeveria e tij është e gatshme të negociojë “gjithçka” në bisedimet e propozuara të paqes në Kazakistan, megjithëse ende nuk dihet me saktësi se kush do ta përfaqësojë opozitën dhe as data nuk është përcaktuar.
Assad tha se delegacioni qeveritar ishte i gatshëm të shkonte në Astana “kur të përcaktohet data e konferencës”.
“Jemi gati të ulemi në negociata mbi gjithçka”,- tha ai. I pyetur nëse kjo “gjithçka” përfshinte edhe pozicionin e tij si president, Assad u përgjigj: po, por pozicioni im është i lidhur me Kushtetutën.
“Nëse ata duan të diskutojnë këtë pikë, atëherë duhet të diskutojnë edhe Kushtetutën. Çdo Kushtetutë e re duhet hedhur në referendum dhe duhet lënë në duart e popullit sirian që të zgjedhë presidentin”,- deklaroi presidenti i Sirisë, Bashar Al-Assad.
Assad, gjithsesi shtoi edhe pyetjen se “kush do të jetë në Astana nga opozita?”. “Nuk e dimë ende a do të jetë realisht një opozitë siriane atje?”. Duke hedhur poshtë grupet, që, sipas tij, mbështeten nga Arabia Saudite, Franca dhe Britania, Assad tha se diskutimet e “çështjeve siriane” duhet të zhvillohen mes grupeve siriane.
Grupet rebele që operojnë nën emrin “Ushtria e lirë siriane” njoftuan më herët gjatë këtij muaji se kishin ngrirë bisedimet në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në Astana për shkak të shkeljeve të armëpushimit.
GAZMEND KURTISHI
