Bota nën darën e të ftohtit polar, shtohet numri i të vdekurve në Europë dhe ShBA
I ftohti polar që ka mbërthyer Europën nga Veriu në Jug...

I ftohti polar që ka mbërthyer Europën nga Veriu në Jug mendohet të zgjasë deri të mërkurën.
Acari e rriti në 55 numrin e të vdekurve prej të ftohtit në Poloni, që prej muajit nëntor.
Dy prej 3 viktimave të Pragës ishin të pastrehë, por veçanërisht shqetësuese paraqitet situata për emigrantët në kampet e improvizuara në Ballkan. Alarmin e jep UNHCR-ja, që kujton se me qindra refugjatë jetojnë nëpër tenda pa ngrohje në ishujt e Egjeut, ku më problematike mbetet gjendja në Samos.
Në Greqi, nga i ftohti mësohet të ketë ndërruar jetë një i ri me origjinë afgane.
Bora ka paralizuar Stambollin, ndërsa “Turkish Airlines” njoftoi anulimin e 650 fluturimeve.
Në Moskë, termometri shënoi 30 gradë nën zero. I ftohti ekstrem e ka vënë në vështirësi edhe Ministrinë italiane të Arsimit. Drejtuesit e disa shkollave, sidomos në provincat jugore të vendit, e kanë shtyrë kthimin e nxënësve në klasë për shkak të ngricave.
Bora po shkakton problem edhe në Amerikë. Stuhia “Helena”, që nisi në Alabama dhe përfundoi në New York, la të vdekur tre persona.
Në Kentucky një burrë gjeti vdekjen sepse kamioni me të cilin po udhëtonte rrëshqiti nga akulli në rrugë dhe u përmbys.
Dy persona të tjerë u gjetën të vdekur në Oregon dhe Maine si pasojë e të ftohtit. Shtëpitë në Virginia janë pa energji elektrike për shkak të stuhisë.
72 milionë amerikanë, duke filluar nga Maine e deri në Misisipi, janë në rrezik të kushteve të këqija të motit. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
