Trump pranon: Moska ka hakuar të dhënat e demokratëve

09.01.2017 15:59

Presidenti i zgjedhur i ShBA-ve, Donald Trump...

Presidenti i zgjedhur i ShBA-ve, Donald Trump, ka nisur që të mos e mohojë më idenë se Rusia ka urdhëruar sulme kibernetike ndaj kampit të demokratëve gjatë zgjedhjeve presidenciale me qëllim që të dëmtojë fushatën e Hillary Clinton.

Shefi i stafit të republikanit, Reince Pribus, pohon se presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara nuk i hedh poshtë të dhënat që kanë grumbulluar agjencitë inteligjente amerikane, të cilat publikuan së fundmi edhe një raport të detajuar mbi këtë çështje.

“Donald Trump e ka pranuar se ka pasur një interferencë nga qarqe të caktuara ruse në procesin zgjedhor, më konkretisht në sulmin që i është bërë sistemit të të dhënave të demokratëve. Por, nuk është Moska ajo që duhet fajësuar, por vetë demokratët që nuk instaluan sisteme për t’u mbrojtur nga pirateria kompjuterike. Akuza të tilla ka pasur edhe në dekadat e kaluara dhe mund të ketë pasur gjithashtu ndërhyrje edhe në zgjedhjet që janë mbajtur vitet e shkuara”,- deklaroi shefi i ardhshëm i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Pribus.

Por, sikurse presidenti i zgjedhur, edhe Priebus e mohoi se fitorja e republikanëve në procesin zgjedhor ka ardhur për shkak të këtyre sulmeve. Ai nënvizoi se sulmet nuk kanë pasur asnjë impakt në rezultatin përfundimtar.

Çështja në fjalë ka shkaktuar një debat mjaft të gjerë në Shtetet e Bashkuara, por edhe në raportet mes Uashingtonit dhe Moskës. Shtëpia e Bardhë ka lëshuar vazhdimisht akuza në drejtim të Rusisë, duke pretenduar se Qeveria ruse ka urdhëruar një fushatë sulmesh, me qëllim që të favorizohej kandidati republikan, Donald Trump.

Megjithatë, në prononcimet e tij për mediat, presidenti rus, Vladimir Putin, theksoi se këto akuza janë të pabaza dhe se kanë për qëllim që të zhvendosin vëmendjen e qytetarëve nga probleme të tjera madhore që ka sot bota. (Gazmend Kurtishi, TVM2)