Maqedoni

Ivanov ia ndau mandatin Nikolla Gruevskit

09.01.2017 16:49

Presidenti, Gjorge Ivanov, ia dorëzoi mandatin për konstituimin e qeverisë kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit...

Ivanov shfrytëzoi maksimumin e afatit ligjor, përkatësisht mandatin e ndau në ditën e fundit të afatit të paraparë me Kushtetutë.   
 
“Në pajtim me nenin 84, paragrafi i parë, në harmoni me nenin 90, paragrafi i parë i Kushtetutës së RM-së ndaj mandat për formimin e qeverisë së Republikës së Maqedonisë”,- deklaroi presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov.
 
Neni 90 i Kushtetutës së RM-së thotë: presidenti i Republikës së Maqedonisë e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. 
 
Aktualisht asnjëra palë nuk ka siguruar shumicën parlamentare, për ç’shkak edhe seanca e parë e Kuvendit mbeti e papërfunduar. U verifikuan mandatet e deputetëve, por nuk u zgjodh as Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve dhe as kryetari i Kuvendit.
 
Konform nenit 90 të Kushtetutës, mandatari, në afat prej 20 ditëve, nga dita e besimit të mandatit, duhet t’ia paraqesë Kuvendit programin dhe t’i propozojë përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
 
Përbërja e nëntë parlamentare ka 120 deputetë dhe u konstituua më 30 dhjetor të vitit të kaluar, ku më së shumti deputetë ka koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE, përkatësisht 51 deputetë, Koalicioni i kryesuar nga LSDM ka 49 mandate, BDI 10, BESA 5, “Aleanca për shqiptarët” 3 dhe PDSh 2. Në këtë përbërje parlamentare nuk ka deputet nga diaspora për shkak të numrit të pamjaftueshëm të votave të fituara.
 
Krijimi i shumicës parlamentare varet nga participimi i partive shqiptare. BDI, Lëvizja BESA dhe “Aleanca për shqiptarët”, më 7 janar, e publikuan deklaratën e përbashkët, e cila do të jetë themeli për fillimin e negociatave për krijimin e qeverisë së re.
 
Blloku maqedonas që do të pranojë zbatimin e kësaj deklarate do mund të krijojë shumicën parlamentare, rrjedhimisht edhe qeverinë e re. 
 
SHPËTIM NUREDINI