Maqedoni
Qytetarët: sistemi elektronik i NQP – Shkup, kufizime të shumta dhe bileta më të shtrenjta; NQP: sistemi elektronik rrit shpejtësinë dhe cilësinë
09.01.2017 17:00
Aplikimi i sistemit elektronik për pagesë gjatë shfrytëzimit të transportit publik në Shkup ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët...

Aplikimi i sistemit elektronik për pagesë gjatë shfrytëzimit të transportit publik në Shkup ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, të cilët ankohen se kjo prek drejtpërdrejtë në xhepin e tyre.
Pagesa elektronike krahas që i detyron qytetarët të blejnë kartela elektronike, nuk u jep mundësi që të paguajnë për një udhëtim, nuk u mundëson të udhëtojnë më shumë persona me një kartelë, por edhe i kanë shtrenjtuar biletat, pasi më parë në autobusët privat për një udhëtim paguhej 25 denarë, ndërsa tani një udhëtim kushton mbi 35 denarë.
“Sistemi i ri elektronik i kufizon qytetarët të cilët nuk udhëtojnë shpesh me autobusë. E ëma para disa ditëve nga Shtipi erdh tek ne në Shkup, ishte e detyruar të blejë kartelën elektronike prej 150 denarë, udhëtoi me autobus në dy drejtime dhe u kthye në Shtip. Ajo kartelë mbeti në shtëpi, nuk i nevojitet më”,- u shpreh një qytetare.
“Kërkova në autobus të blej biletë për një udhëtim, por më thanë se më nuk shiten ato bileta. U detyrova ta blej kartelën elektronike me 5 udhëtime prej 150 denarë edhe pse nuk udhëtoj shpesh me urbane”,- theksoi një qytetare.
“Dy persona me një kartelë në autobus nuk mund të udhëtojnë, nuk e di përse, por secili duhet të ketë kartelën e vet elektronike për të udhëtuar. 300 denarë u nevojitet 2 personave të udhëtojnë deri në Fushë Topanë ose në ndonjë vend tjetër, që është absurd për mendimit tim. Më së miri dhe më lirë është me taksi të udhëtosh, sepse për 50 denarë t’i vjen deri në pazar, nuk ke llogari me autobus”,- u shpreh një qytetare.
“Qytetarët gjithmonë kanë nevojë të blejnë biletë për një udhëtim. Mendoj se ka persona që përdorin autobusin vetëm një herë në vit dhe vlerësoj se është e palogjikshme që të detyrosh dikën të blejë kartelë prej 150 denarë për një udhëtim në vit”,- theksoi një qytetar.
Pamundësia që një kartelë të mund të shfrytëzohet nga më shumë persona vështirëson sidomos udhëtimet e përbashkëta të më shumë anëtarëve të një familjeje, pasi të gjithë duhet të pajisen me kartela elektronike me nga 150 denarë.
Ndërsa problemi tjetër paraqitet edhe për qytetarët që vijnë nga qytetet tjera të vendit të cilët po ashtu duhet të pajisen me kartelë elektronike prej 150 denarësh edhe pse rrallë herë vijnë në kryeqendër.
Por, sipas drejtuesve të Ndërmarrjes së qarkullimit publik, ky sistem ka për qëllim përmirësimin e funksionimit të transportit publik, si dhe rritjen e shpejtësisë dhe cilësisë së transportit në kryeqendër.
Drejtori i NQP-së, Igor Janushev, thotë se udhëtimi i më shumë personave me një kartelë elektronike nuk është e realizueshme, sepse kjo ndërmarrje nuk do të ishte në gjendje që të evidentojë dhe të kryejë në kohë kontrollet e pasagjerëve.
“Dy persona me një kartelë elektronike nuk mund të udhëtojnë përnjëherë në një autobus për arsye se me këtë do të krijoheshin shumë probleme dhe rrëmujë me kontrollimin e udhëtarëve nëpër autobusët urbanë. Është e pamundur që në kohën e fluksit të madh të udhëtarëve të kontrollohen dhe të ndiqen qytetarët në autobus të cilët me një kartelë elektronike kanë hyrë disa persona. Kjo është e parealizueshme, prandaj këtë opsion fare nuk e kemi lëshuar në përdorim. Gjithashtu po rikujtoj se biletat për një udhëtim që ishin në përdorim para 1 janarit, vlejnë dhe janë të realizueshme vetëm përmes kartelës elektronike”,- tha drejtori i NQP-së, Igor Janushev.
Po ashtu ai sqaron se me sistemin e ri elektronik gjithashtu mundësohet edhe pagesa e biletave nëpërmjet telefonit celular.
REXHEP QAMILI
