Maqedoni

Ministria e Shëndetësisë: gratë shtatzëna të liruara nga puna; Mjekët: qytetarët të mos dalin pa nevojë

09.01.2017 18:33

Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike të hënën dhe të martën të jenë të liruar nga puna...

Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike të hënën dhe të martën të jenë të liruar nga puna, ndërsa personave që punojnë në ambiente të hapura t’u ndryshohet orari për shkak temperaturave të ulëta.
 
Kjo ka bërë që ditëve të fundit të rritet edhe numri i thirrjeve nË urgjencën mjekësore. 
 
“Kategoritë më të ndjeshme në kushtet e jashtme janë të sëmurët kronik, kategoritë e rrezikuara sociale, të pastrehët, gratë shtatzëna  dhe fëmijët. Ata që ne më së shpeshti i përsërisim është që qytetarët  të mos dalin pa nevojë, por edhe nëse dalin të vishen mirë dhe të vendosin maska mbrojtëse. Puna në urgjencën e ndihmës mjekësore këtyre ditëve është rritur. Në urgjencë këto ditë paraqiten për etiologji të ndryshme dhe personat të cilët kërkojnë ndihmë janë ata të cilët kanë komplikime si pasojë e gripit, ata me kollitje, probleme me frymëmarrje etj”,- deklaroi mjekja, Jelena Kaleva.
 
Mjekët rekomandojnë që qytetarët të konsumojnë pije të ngrohta dhe ushqim, që të mirëmbajnë temperaturën e trupit, të shmangin alkoolin dhe të vishen në mënyrë përkatëse. 
 
Po ashtu ngricat kanë qenë shkaktare që gjatë vikendit 105 persona të kërkojnë ndihmë mjekësore vetëm në Spitalin e qytetit në Shkup, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë nga rrëshqitja, tetë prej të cilëve janë hospitalizuar.
 
Numri më i madh i të lënduarve janë persona të moshuar, por ka edhe fëmijë të moshës 10-12 vjeç.
 
Po ashtu 34 pacientë të tjerë janë pranuar në Qendrën urgjente në Klinikën e kirurgjisë, për shkak  të lëndimeve në duar, bërryl dhe këmbë. 
 
Në këto ditë të ftohta askush nuk duhet të kalojë natën në ambiente të hapura, prandaj nëse qytetarët vërejnë persona në rrezik nga moti i ftohtë, si të pastrehë ose fëmijë në rrugë, të njëjtët t’i paraqesin në linjën telefonike falas: 15 505. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ