Botë
Koci: Haradinaj mund të lirohet të enjten; MPJ e Francës: veprimi ligjor nuk ka dimensione politike
09.01.2017 21:09
Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të mbetet i paraburgosur në Francë në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia...

Avokati i tij, Arianit Koci, ka bërë të ditur se Haradinaj të enjten pritet të dalë sërish para trupit gjykues francez, kur edhe pritet të lirohet me kusht, deri në përfundimin e procedurës dhe dhënies së vendimit përfundimtar.
Lirimi me kusht i Haradinajt nënkupton që ai të jetë i lirë në Francë, por jo edhe të kthehet në Kosovë, pa dhënë vendimin përfundimtar Gjykata e Apelit në Francë.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Francës nëpërmjet zëdhënësit, Romain Nadal, ka sqaruar se “veprimi ligjor ndaj Haradinajt nuk ka dimensione politike”.
Ai tha se “procedurat që po zhvillohen ndaj Ramush Haradinajt janë çështje ligjore, të nisura mbi bazën e kërkesës së Interpolit”.
Sipas tij “autoritetet gjyqësore në Francë janë marrë me çështjen në mënyrë të kujdesshme” dhe se “procedurat tani janë çështje të autoriteteve të drejtësisë”.
“Franca është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka marrëdhënie të afërta dhe miqësore me të”, tha zëdhënësi Nadal.
Ai sqaroi se “Ramush Haradinaj u arrestua më 4 janar 2017 në aeroportin e Basel-Mulhouse, mbi bazën e një kërkese për arrest të përkohshëm të lëshuar nga Interpoli dhe u zbatua në mënyrë automatike, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Francës”.
