Maqedoni

Moti, temperatura deri në -20 dhe me reshje të borës

10.01.2017 09:03

Prej mbrëmë në Maqedoni u rikthyen reshjet e borës, ndërsa termometri vazhdon të regjistrojë temperatura tejet të ulëta...

Mëngjesin e sotëm në Mavrovë janë regjistruar temperatura deri në -20 gradë, derisa trashësia e borës ka arritur në 68 centimetra. 
 
Meteorologët thonë se moti gjatë ditës do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe i ftohtë, ndërsa në pjesët lindore me vranësira dhe me kushte për reshje lokale të përkohshme të borës që do të jenë me intensitet mesatar, ndërsa në pjesët e tjera me intensitet më të ulët. Do të fryjë erë mesatare veriore. 
 
Në Shkup do të ketë mot të ngjashëm me temperaturë minimale prej minus 13 gradë celsius, ndërsa maksimale deri në minus 9 gradë celsius. Mot i ngjashëm me temperatura të ulëta dhe reshje të borës do të mbajë edhe gjatë ditës së nesërme. 
 
Sipas Lidhjes Auto-Moto, komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet në kushte dimërore nëpër rrugë të lagështa, me mbetje të borës. Ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda është vendosur në vendkalimet malore Strazhë, Pletvar, Gjavatë dhe Presekë, si dhe në aksin rrugor Mavrovë - Dibër. Lidhja Auto-Moto rekomandon vozitje jashtëzakonisht të kujdesshme, shpejtësi të adaptuar të lëvizjes dhe respektim të sinjalizimit të vendosur rrugor. 
 
Nga qyteti i Shkupit njoftojnë se janë hedhur 250 tonelata kripë në rrugët e kryeqendrës, por efekti i kripës është i vogël në temperatura -6 gradë, prandaj është e mundur paraqitja e ngricave. 
 
Ekipet e shërbimit dimëror po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugëve të qytetit dhe bulevardeve, thonë nga qyteti i Shkupit, prej ku apelojnë te qytetarët, këshillat banesorë dhe pronarët e objekteve afariste të respektojnë rregullat ligjore për pastrimin e borës në hyrje të objekteve të tyre. 
 
Po ashtu Ndërmarrja “Higjiena Komunale” apelon te komunat që ta kryejnë obligimin e tyre për pastrimin e rrugëve që janë në kompetencën e tyre.