Botë
Trump cakton dhëndrin si këshilltar, demokratët kundër, është nepotizëm
10.01.2017 10:02
Demokratët kanë shpërthyer në akuza ndaj presidentit të zgjedhur, Donald Trump..

Demokratët kanë shpërthyer në akuza ndaj presidentit të zgjedhur, Donald Trump, vetëm pak orë pasi ky i fundit zyrtarizoi se dhëndri i tij, Xhared Kushner, do të emërohet si një prej këshilltarëve më të lartë të liderit të ardhshëm të ShBA-ve.
Sipas tyre, emërimi i fundit i republikanit është një shfaqje e pastër e nepotizmit dhe në këtë mënyrë administrata e re mund të hasë shpesh në konflikte interesi.
Një grup kongresmenësh amerikanë të kampit demokrat kanë kërkuar që Departamenti i Drejtësisë të ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe të hetojë më thellë çështjen në fjalë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i përfaqësuesve ligjorë të Jared Kushner, të cilët theksuan se 36-vjeçari do të heqë dorë nga të qenit drejtues i disa bizneseve, do të tërhiqet nga drejtimi i departamentit të pasurive të paluajtshme në perandorinë e biznesit Trump si dhe nga gazeta e tij “New Jork Observer”, që të përmbushë kushtet e nevojshme ligjore për t’u emëruar këshilltar nën administratën e ardhshme amerikane.
Jared Kushner ka qenë gjithashtu pjesë e fushatës së Trump gjatë vitit që lamë pas, duke u angazhuar në departamentin e komunikimit dhe në fushatën online të republikanit. Në administratën e re, Jared Kushner pritet të ketë rol këshillues si për politikat e brendshme ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë, fillimisht ai do të fokusohet tek çështjet më problematike në Lindjen e Mesme si dhe në politikat tregtare. Në prononcimin e tij për këtë çështje, Trump e cilësoi dhëndrin e tij si një aset mjaft të rëndësishëm të stafit të tij të ardhshëm.
GAZMEND REXHEPI
