Botë
Europa nën darën e acartë, arrin në 38 numri i të vdekurve nga i ftohti
10.01.2017 13:31
Vala e të ftohtit që ka prekur Europën që prej javës së kaluar me temperatura polare...

Vala e të ftohtit që ka prekur Europën që prej javës së kaluar me temperatura polare, ka shkaktuar të paktën 38 të vdekur, 10 prej tyre vetëm në Poloni, ku temperaturat kanë arritur deri në –20 gradë celsius.
Pjesa më e madhe e viktimave në Poloni ishin persona të pastrehë. Vala e të ftohtit ka filluar të ulet në Europën perëndimore, por vazhdon të jetë ftohtë në Itali, ku edhe dy persona kanë humbur jetën, një 82-vjeçar dhe një 78-vjeçar, duke e çuar kështu në 9 numrin e të vdekurve në gadishullin Apenin.
Në Bjellorusi, dy persona kanë humbur jetën nga i ftohti dhe termometri ka rënë deri në -30 gradë celsius.
Në Serbi, temperatura më e ulët u regjistrua dje në qytetin e Sjenicas, në jugperëndim, me -33 gradë celsius dhe lundrimi në Danub dhe Sava është ndërprerë. Në Beograd, dhjetëra migrantë të bllokuar nga mbyllja e rrugës së Ballkanit janë strehuar në depot e braktisura në afërsi të stacionit të trenit, për shkak të temperaturave që kanë arritur deri në -15 gradë celsius. Këta migrantë refuzojnë të futen në qendrat zyrtare të pritjes nga frika se mos kthehen drejt vendeve, nëpërmjet të cilave kanë hyrë në Serbi.
Në Greqi, qindra refugjatë dhe migrantë të bllokuar në ishuj, që vuajnë nga i ftohti, kanë vetëm tenda për t’u mbrojtur nga dëbora. Në kampin e Morias, më shumë se 2 500 persona jetojnë në tenda, pa ngrohje dhe ujë të ngrohtë, duke përfshirë këtu fëmijë, gra dhe persona me aftësi të kufizuara.
Në Turqi, reshjet e dendura të dëborës, që kanë përfshirë Stambollin, për të tretën ditë radhazi kanë shkaktuar anulimin e qindra fluturimeve dhe bllokimin e mijëra udhëtarëve. Trafiku në Bosfor, një prej më të ngarkuarve në botë, është ndërprerë plotësisht.
GAZMEND REXHEPI
