Maqedoni
“Hekurudhat e Maqedonisë”, 4 lokomotiva të reja për transport bashkëkohor
10.01.2017 14:42
“Hekurudhat e Maqedonisë” do të pajiset me 4 lokomotiva të reja elektrike nga Kompania kineze “CRRC XhuXhou”...

Lokomotivat e reja do të ndikojnë jo vetëm në ruajtjen e ambientit jetësor, por edhe në cilësinë e shërbimeve, thonë nga “Hekurudhat e Maqedonisë”.
Ky është projekti i dytë që realizohet me firmën kineze, prej të cilës janë blerë paraprakisht edhe gjashtë trena elektrikë.
“4 lokomotivat e reja elektrike do të ripërtërijnë parkun tonë pas 40 viteve, do na afrojnë me standardet europiane dhe botërore, do të ofrojnë sigurim më të madh në komunikacionin hekurudhor, shtim të numrit të udhëtarëve, shpejtësi më të madhe, kursim energjetik, mbrojtje të mjedisit jetësor, punë efikase dhe shërbime më cilësore”,- deklaroi drejtori i përgjithshëm i HM "Transport", Nikolla Kostov.
“Kompania jonë do të sigurojë resurse dhe ekspertizë. Do të fitoni prodhime të sigurta me performanca të larta dhe pamje të shkëlqyeshme, gjashtë trenat elektrikë janë vetëm lajmëtar i miqësisë e cila po thellohet”,- tha drejtori i “CRRC- Xhuxhou”, Xho Shin Ha.
Investimi në vlerë prej tetë milionë eurove është siguruar nga Banka Europiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim (BERZH), dhe realizohet në kuadër të Projektit për ripërtëritje të parkut të automjeteve të “Hekurudhave të Maqedonisë”.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
