MAQEDONI
Ohër, 1000 nxënës në gara sportive
08.05.2014 10:07
Rreth 1000 nxënës të shkollave të mesme në vend, gjatë tre ditëve të ardhshme do të jenë pjesë e garës tradicionale...
Rreth 1000 nxënës të shkollave të mesme në vend, gjatë tre ditëve të ardhshme do të jenë pjesë e garës tradicionale “Gjimnazijada” në më shumë disiplina të sportit.
Kjo garë njëherit është e nënta me radhë. Kështu paralajmëruan ministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski dhe drejtori i Agjencionit për Rini dhe Sport, Marijan Spasevski.
“Është evidente se në çdo “Gjimnazijadë” të ardhshme kyçen nxënës më të shkathët. Prej 30 mijë nxënësve të kyçur në sport, ne dëshirojmë bashkë me Agjencionin për Rini dhe Sport, që ky numër të arrihet deri në 100 mijë nxënës deri në vitin 2016”, theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristoski.
“Lojërat sportive te nxënësit e shkollave të mesme gjatë 20 viteve sa organizohen, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për përmirësimin e cilësisë së jetës te të rinjtë, pikërisht në këtë drejtim", u shpreh drejtori i Agjencionit për Rini dhe Sport, Marjan Spaseski.
Nikoqir i këtyre aktiviteteve sportive do të jetë qyteti i Ohrit, ndërsa pjesëmarrësit më të suksesshëm dhe më të dalluar do të shpërblehen me pjesëmarrjen në kampet verore me qëndrim një javor, që do të organizohen pas mbarimit të garave.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
