Maqedoni

Kujdes nga akulli, 22 persona me fraktura në Shkup

10.01.2017 15:52

Ata që i ndjejnë më shumë temperaturat ekstreme janë të pastrehët...

Vetëm në Shkup janë regjistruar 148 të tillë dhe 15 në qytetet e tjera të vendit. Qendrat për pranim janë hapur gjithandej, ftohen edhe qytetarët që shohin në rrugë të pastrehë t’i dërgojnë në këto qendra apo t’i paraqesin në stacionin më të afërt policor.Edhe spitalet kanë pasur punë me persona që kanë pësuar fraktura nga akulli i papastruar.
 
“Në 24 orët e fundit në Klinikën “Shën Naumi” në Shkup kanë kërkuar ndihmë 22 persona për shkak të lëndimeve nga rrëzimi në akull. Prej tyre janë hospitalizuar dy persona, njëri prej të cilëve kishte nevojë për intervenim kirurgjikal. Gjatë këtyre ditëve të festave, ndihmë kanë kërkuar gjithsej 124 persona”,- deklaroi specialistja për kirurgji të përgjithshme, Bisera Nikollovska.
 
Ekipet e pastrimit në Shkup vazhdojnë të punojnë me kapacitete të shtuara për të pastruar rrugët. Nga Qyteti i Shkupit thonë se kanë hedhur 250 ton kripë nëpër rrugë, por kripa industriale nuk funksionon në temperaturë nën minus 6 gradë celsius.
 
Obligim i Qytetit të Shkupit është pastrimi i rrugëve dhe bulevardeve kryesore, por rrugët e tjera janë nën kompetenca të komunave.
 
Pastrimi i rrugicave në fakt është obligim ligjor edhe për qytetarët dhe tregtarët. Ligji parashikon madje gjoba të rënda për afaristët që nuk i pastrojnë trotuaret para lokaleve dhe dyqaneve të tyre. Po ashtu është obligim ligjor dhe qytetar edhe pastrimi i hapësirave të përbashkëta para shtëpive apo ndërtesave.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU