Ekonomi
Huaja e re prej 31.7 milion euro, Selimi: shqetësuese marrja e borxheve për të larë borxhet
10.01.2017 16:26
Qeveria e Maqedonisë huazon 31.7 milion euro nga kreditorët vendorë...

Gjysma e këtyre mjeteve, gjegjësisht 15.8 milion euro, janë të dedikuara për kthimin e borxheve të vjetra.
Marrja e borxhit të ri nga ana e qeverisë është shqetësuese për profesorin universitar, Nasir Selimi, duke pasur parasysh atë se qeveria është jotransparente dhe nuk dihet se ku do të shkojnë gjysma e mjeteve të huazuara.
“Shqetësimi është akoma më i madh kur dihet se qeveria e tanishme, por edhe ajo e kaluar, gjatë viteve të fundit në mënyrë të vazhdueshme, por edhe intensivisht, e futi vendin në një borxh të madh, duke mos pasur kujdes për efikasitetin edhe racionalitetin e mjeteve të huazuara”,- deklaroi profesori universitar, Nasir Selimi.
Sipas tij, borxhet e marra nga qeveria nuk do të përbënin fakt shqetësues nëse mjetet shfrytëzohen në mënyrë racionale, pra nëse do të përdoreshin për financimin e investimeve kapitale, të cilat pastaj do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik.
Por, shqetësues është fakti se borxhi i ri përdoret për të larë borxhet e vjetra dhe për projekte joproduktive.
“Maqedonia duhet të zvogëlojë borxhin, marrjen e borxheve të këtilla, duhet që ta rrit produktivitetin e punës, të ketë rritje ekonomike, të bëjë reduktimin e shpenzimeve të buxhetit dhe normalisht që edhe të hapë vende të reja të punës, me të cilat do të mund të rrisë aktivitetet ekonomike”,- tha profesori universitar, Nasir Selimi.
LSDM akuzoi dje ministrin e Financave, Kiril Minovskin, se i ka futur qytetarët në një borxh të ri prej 15 milion euro dhe paralajmëroi padi penale kundër ministrit Minovski dhe zëvendësministres së Drejtësisë, Biljana Brishkovska.
ERSAN PAJAZITI
