Maqedoni
Të sëmurët nga gripi sezonal, numra zyrtarë nuk ka, por vërehet ulje
10.01.2017 16:41
Afro 10 mijë persona rezultojnë të sëmurë nga gripi, thonë të dhënat zyrtare të autoriteteve shëndetësore...

Gjithsesi, pushimi dimëror dhe reshjet e javës së fundit kanë ulur numrin e të sëmurëve, por Klinika e fëmijëve në Shkup punon me kapacitete të mbushura plot me fëmijë me komplikime shëndetësore, të pranuar më herët. Pothuajse të gjithë prej tyre kanë pasur infektime në sistemin qendror nervor dhe ndezje të organeve respiratore që u janë shkaktuar nga gripi.
“Lirisht mund të vlerësojmë se deri para festave të Krishtlindjeve, më 7 janar, dhe derisa nuk ra bora e parë në Maqedoni, situata me gripin ishte alarmante në këtë klinikë. Për fat të mirë, reshjet e borës që kapluan vendin ndikuan në uljen drastike të pacientëve të sëmurë nga gripi. Nëse gjatë javës së parë të janarit patëm mbi 150 intervenime gjatë natës, tani ky numër është ulur në 15 intervenime, prej të cilave asnjë prej tyre nuk ka pasur komplikime shëndetësore”,- deklaroi drejtoresha e Klinikës së fëmijëve në Shkup, Aspazija Sofijanova.
Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se me përjashtim të vitit 2009-2010, numri i të sëmurëve të regjistruar gjatë javës është më i madh në 10 vitet e fundit. Ky institut të premten do t’i publikojë të dhënat e reja për situatën rreth përhapjes së gripit në vend dhe numrit të të sëmurëve për javën e dytë të janarit.
REXHEP QAMILI
