Maqedoni

Rikthehet acari dhe bora, shënohet viktima e tretë në Maqedoni nga i ftohti

10.01.2017 17:23

Është rikthyer acari dhe bora në mbarë vendin. Temperaturat ekstremisht të ulëta kanë shënuar edhe viktimën e tretë...

Pas dy meshkujve 60-vjeçar nga  Shkupi dhe Strumica, edhe një e moshuar ka vdekur nga i ftohti në Pehçevë.
 
80 vjeçarja është rrëzuar në korridorin e shtëpisë, ku në mëngjes është gjetur e ngrirë nga anëtarët e familjes.
 
I ftohti dhe bora kanë shkaktuar problem gjithandej. Ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim po punojnë në zhbllokimin e fshatrave Tanushë, Malinë dhe Brezë. Edhe komuna e Studeniçanit ka kërkuar ndihmë për të pastruar fshatrat e ngujuara në drejtim të Kitkës dhe Crni Vërvit.
 
“Kemi disa raste ku kemi intervenuar. Kishim një grup prej 6 personash, të cilët ishin drejt Tanushës, të ngujuar, edhe ata arritëm t’i nxjerrim nga ajo situatë. Kishim një rast nga Kumanova në drejtim të Kriva Pallankës, një familje katëranëtarëshe ishin ngujuar në mes të kësaj rruge, edhe aty intervenuam ne si drejtori me makinat tona dhe i nxjerrëm nga ajo situatë. Edhe në fshatin Piklisht, komuna e Rankovcit, ka qenë një fshat malor ku ka qenë një familje e stacionuar, ne kemi intervenuar, se fëmijët kanë qenë me terapi të inhalimit dhe i kemi dërguar deri në spital”,- deklaroi zëvendësdrejtori në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ekrem Zendeli.
 
Nga ndërmarrja publike “Rrugët e Maqedonisë”, ndërkohë, thonë se rrugët janë të kalueshme. Pengesa ka vetëm në Strazhë, Mavrovë dhe në qafëmalet ne pjesën lindore.
 
“Pikat më të rrezikshme janë në Strazhë dhe Mavrovë. Ne mirëmbajmë mbi 4.500 rrugë magjistrale dhe rajonale, ku kanë intervenuar mbi 240 mjete speciale",- tha drejtori i N. P. “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu.
 
Sinoptikanët edhe për ditët në vazhdim paralajmërojnë temperatura të ulëta, me përmirësime të vogla vetëm të premten, por thonë se ato gjithsesi do mbeten ekstremisht nën zero, sidomos gjatë natës.
 
Prej së mërkurës i gjithë vendi është në fazën e verdhë të alarmit nga moti i keq, ndërsa Tetova, Kërçova, Gostivari dhe Makedonski Brodi janë në fazën e portokalltë.
 
Për banorët e këtyre katër komunave vazhdon të vlejë ndalesa për punë e grave shtatzëna, të sëmurëve kronikë dhe e personave mbi 60 vjet. 
 
GAZMEND KURTISHI