MAQEDONI
Parregullsi në banjat që kanë kontratë me FSSH-në
08.05.2014 18:14
Në tre banja të Maqedonisë, me të cilat Fondi për Sigurim Shëndetësor ka nënshkruar marrëveshje, gjatë një kontrolli të bërë janë vërejtur parregullsi...

Në tre banja të Maqedonisë, me të cilat Fondi për Sigurim Shëndetësor ka nënshkruar marrëveshje, gjatë një kontrolli të bërë janë vërejtur parregullsi.
Banja e Katllanovës, Banskos dhe Dibrës kanë thyer ligjin dhe marrëveshjen e të siguruarve, duke kërkuar nga ata të paguajnë shumë të madhe parash pa nevojë.
Siç informoi drejtoresha e Fondit, Maja Parnaxhieva Zmejkova, në banjë duhej të paguanin vetëm participim prej 200 denarë në ditë, ndërsa ata kanë paguar 200 denarë shtesë për shfrytëzimin e ujit termal dhe shumë shtesë për shfrytëzimin e dhomës luksoze edhe pse të siguruarit janë vendosur në dhoma standarde.
“Gjatë vitit 2013, në banjat e Katllanovës, në vend të shumës prej 4.200 denarë për 21 ditë, të siguruarit kanë paguar nga 11.500 denarë. Në vend të paguajnë vetëm participimin prej 200 denarësh në ditë, të siguruarit e zhgënjyer në banjën e Banskos kanë paguar nga 10.500 denarë, ndërkohë nga 6.300 denarë kanë paguar të siguruarit në banjat e Dibrës”, deklaroi drejtoresha e FSSH-së, Maja Parnaxhieva Zmejkova.
Fondi për Sigurim Shëndetësor kërkoi nga banjat e lartpërmendura që në afat prej 3 muajsh t’ua kthejnë paratë të siguruarve, të cilët janë dëmtuar gjatë vitit 2013 në shumë prej 11 milion denarësh.
Drejtoresha apeloi deri te të gjithë të siguruarit, të cilët me vendim të Fondit gjatë vitit të kaluar kanë qenë në këto tre banja, të verifikojnë sa kanë paguar dhe t’i kërkojnë paratë që ua kanë marrë pa nevojë.
Në qoftë se banjat nuk e respektojnë këtë në afatin e caktuar, atëherë Fondi është i detyruar të prishë marrëveshjen me to dhe në të njëjtën kohë t’i dënojë me shumë të madhe parash.
RINA TURKESHI-SAITI
