Botë

Seancë e jashtëzakonshme për Haradinajn, Qeveria dhe Kuvendi kërkojnë lirimin e tij

10.01.2017 18:11

Fletëarrestet e Serbisë si në rastin e fundit me arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë, janë të padrejta dhe me tendencë për të krijuar tensione dhe konflikte...

Fletëarrestet e Serbisë si në rastin e fundit me arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë, janë të padrejta dhe me tendencë për të krijuar tensione dhe konflikte, deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që u mbajt me kërkesë të AAK-së.                                                                                       
“Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë transmetuar tek autoritetet e shtetit francez se fletëarrestet e Serbisë janë të paligjshme për qytetarët e Republikës së Kosovës, se juridiksioni i Serbisë mbi qytetarët e Kosovës ka përfunduar zyrtarisht në qershor të vitit 99. Dhe se nuk shohim asnjë arsye që zoti Haradinaj të mbahet edhe më tutje në Francë, me fletëarrest të paligjshëm dhe të motivuar mbi baza politike nga Serbia”,- deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.            
                                   
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se arrestimet e këtilla me fletëarreste të Serbisë dhe qasja armiqësore e Serbisë ndaj Kosovës po vënë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut.                                                                  
                                   
“Serbia ka ndjekur një politikë armiqësore dhe po vazhdon të ndjekë një politikë armiqësore në raport me shtetin e Kosovës. Dëshiron ta minojë shtetësinë tonë brendapërbrenda, bën përpjekje ta izolojë vendin ndërkombëtarisht, sikurse po ndjek një politikë armiqësore individuale ndaj lidershipit dhe ndaj qytetarëve të Kosovës. Dhe kësaj çështjeje ne si shtet, si qeveri dhe kuvend duhet ta mendojmë se si të sillemi në të ardhmen”,- theksoi ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj.  
              
Çështja e arrestimit të Haradinajt duhet të trajtohet si një atak ndaj integritetit të Kosovës, prandaj kërkuan ndërprerjen e dialogut me Serbinë deri në lirimin e Haradinajt dhe nuk tërhiqen akuzat ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së, deklaruan deputetët.          
 
“Do të ishte hipokrizi po të thuhej se të gjithë ata që kanë folur me keqardhje, sidomos pushtetarët, e duan me të vërtetë ndaljen e arrestimeve të këtilla. Nëse do ta donin ndaljen e arrestimeve me gjithë mend, përse këta qeveritarë nuk e kanë vendosur si kusht në negociatat e tyre me Beogradin që të zhvlerësohen dhe anulohen fletëarrestet e Serbisë për çlirimtarët tanë, sepse ato negociata kanë qenë edhe të turpshme edhe pa aprime”,- theksoi Albin Kurti nga Vetëvendosje.              
                                                
“Reciprociteti nënkupton të fillojë të trajtohet ashtu siç duhet shteti serb në raport me Kosovën. Të ndërpritet kjo formë e dialogut. Të kërkohet falje për një sjellje të tillë, në raport me dialogun që është bërë për katër apo pesë vite. Të kemi një qasje krejt tjetër në mbrojtje të dinjitetit dhe  integritetit të shtetit tonë”,- u shpreh Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën.    
                                                                                                    
Kërkesë e njëzëshme e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe anëtarëve të qeverisë ishte lirimi i menjëhershëm i Ramush Haradinajt. 
 
Por, pa marrë parasysh se çfarë u tha në Prishtinë, Serbia ka dorëzuar kërkesën për ekstradimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt. 
 
GYLTENE SINANI