SHBA: Barak Obama sonte jep fjalimin lamtumirës
Presidenti amerikan në largim, Barack Obama....

Presidenti amerikan në largim, Barack Obama, është në qytetin Çikago, ku ai do ta mbajë fjalimin lamtumirës, derisa mandati i tij i dytë dhe i fundit, po mbyllet.
Në fjalimin sonte vonë (në orën 3 të mëngjesit sipas kohës së Evropës së Mesme), pritet që zoti Obama do t’i trajtoj temat nga fillimi i presidencës së tij, përfshirë idenë se amerikanët kanë më tepër gjëra që i bashkojnë, se sa që i përçajnë.
Barack Obama, 55 vjeçar, me gjasë do t’i mbrojë të arriturat e presidencës së tij, përfshirë reformën madhore të kujdesit shëndetësor, marrëveshjen ndërkombëtare, që synon ndaljen e programit atomik të Iranit, dhe përmirësimin e raporteve me Kubën.
Të gjitha këto politika janë sulmuar nga pasardhësi i tij, presidenti i zgjedhur republikan, Donald Trump.
Në një video të Shtëpisë së Bardhë, që i paraprinë fjalimit, presidenti Obama, thotë se e konsideron këtë paraqitje lamtumirëse si “rast të falënderohet për këtë udhëtim të jashtëzakonshëm” dhe për t’i reflektuar mësimet që i ka marrë gjatë tetë viteve të fundit në këtë post.
Ai largohet nga zyra me rejting të lartë të miratimit që është afro 55%.
Presidenca Obama përfundon më 20 janar, kur në shkallët e ndërtesës në Kapitoll në Uashington, inaugurohet presidenti i zgjedhur, Donald Trump.
