Maqedoni
Gruevski takon partnerët e koalicionit. Bisedimet për formimin e qeverisë, mister
10.01.2017 18:29
Një ditë pas marrjes së mandatit për formimin e koalicionit qeveritar, kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski...

Një ditë pas marrjes së mandatit për formimin e koalicionit qeveritar, kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka ftuar në një takim partnerët e koalicionit parazgjedhor, përkundër pritjeve të opinionit që mandatari të ftojë partitë parlamentare shqiptare për të filluar negociatat për krijimin e shumicës parlamentare dhe qeverisë.
Nga VMRO nuk konfirmojnë nëse ka filluar bisedimet me partinë fituese në bllokun shqiptar.
“Për këtë gjë do të informoheni në vazhdimësi” – deklaroi Hristijan Dellev nga VMRO-DPMNE në një konferencë tematike.
Tani për tani dihet qëndrimi i mandatarit Gruevski se do të përpiqet të bëjë qeveri, por jo me çdo kusht, duke aluduar në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare.
Sipas tij, nëse ndiqen parimet e deritanishme për bashkëqeverisje të partive fituese nga të dy blloqet etnike, do të mundet ta bëjë qeverinë, nëse jo atëherë ky parim nuk do të vlejë as në të ardhmen.
Edhe burime brenda partive shqiptare deklarojnë se nuk kanë filluar negociatat me mandatarin dhe se mbeten në qëndrimin që deklarata e përbashkët të jetë parakusht për bashkëqeverisje.
Ndërkaq, KE kërkon formimin e shpejtë të qeverisë dhe zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe reformave prioritare emergjente.
“Shpresojmë në formimin e qeverisë së re me mbështetje të gjerë politike, e cila do të mundësojë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes së Përzhinës dhe reformat prioritare emergjente” – deklaroi Maja Kocijançiç.
Presidenti Ivanov mandatoi kreun e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, pa siguruar shumicën e domosdoshme, ndërkaq Neni 90 i Kushtetutës së RM-së thotë: presidenti i Republikës së Maqedonisë e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend.
SHPËTIM NUREDINI
