Botë

Fjalimi i lamtumirës, Obama: Demokracia vuan kur i dorëzohemi frikës

11.01.2017 10:01

Fjalimin e tij të lamtumirës, presidenti në largim i ShBA-ve, Barack Obama...

Fjalimin e tij të lamtumirës, presidenti në largim i ShBA-ve, Barack Obama, e përdori për t’u kërkuar amerikanëve të mbrojnë demokracinë e tyre. Por, ai paralajmëroi njëkohësisht se demokracia vihet nën kërcënim kur merret si e mirëqenë.
 
“Mbrojeni mënyrën tonë të jetesës më shumë sesa ushtrinë. Demokracia mund të vuajë kur i dorëzohemi frikës. Si qytetarë duhet të mbetemi vigjilentë ndaj agresionit të jashtëm, duhet të ruhemi nga dobësimi i vlerave që na bëjnë këta të cilët jemi sot”,- deklaroi presidenti në largim i ShBA-ve, Barack Obama.
 
Obama theksoi rritjen e refuzimit të emigrantëve si një kërcënim, duke bërë me dije se Amerika që nga fillimi i saj është një komb emigrantësh dhe pikërisht tek dallimet qëndron fuqia e saj. 
 
“Pavarësisht dallimeve tona të jashtme, na bashkon një fat, ne ngrihemi ose rrëzohemi të gjithë bashkë. E kundërshtoj diskriminimin ndaj myslimanëve amerikanë, që janë po aq patriotë sa edhe ne. Edhe fëmijët me ngjyrë përfaqësojnë pjesën gjithnjë e më të madhe të fuqisë punëtore të Amerikës dhe duhet të përqafohen e pranohen”,- tha presidenti në largim i ShBA-ve, Barack Obama.
 
Obama tha se ndarjet e brendshme në shoqëri dhe debati i acaruar politik paraqesin kërcënimin po aq të madh sa edhe kërcënimet nga terroristët apo diktatorët.
 
“Le të jemi vigjilentë, por të mos frikësohemi. “Shteti Islamik” do të provojë të vrasë njerëz të pafajshëm. Por, nuk mund ta mund Amerikën nëse ne nuk e tradhtojmë Kushtetutën dhe parimet tona. Rivalët si Rusia ose Kina nuk mund ta arrijnë ndikimin tonë në mbarë botën gjithnjë derisa ne nuk heqim dorë nga ajo për të cilën qëndrojmë dhe nuk shndërrohemi në një komb që ngacmon fqinjët më të vegjël”,- theksoi Obama.
 
Obama përshëndeti marrëveshjen bërthamore me Iranin, hapjen ndaj Kubës dhe rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane. Ai iu rikthye mesazhit të fushatës së tij të parë për president në vitin 2008, parulla e së cilës ishte “Yes, we can – Po, ne mundemi”.  
 
Fjalimi përmbante edhe një homazh prekës drejtuar zonjës së parë, Michelle Obama, për të cilën tha se e bëri Shtëpinë e Bardhë një vend që i përket të gjithëve.
 
GAZMEND KURTISHI