MAQEDONI

Maqedonia-Shqipëria, këmbim të përvojave për uljen e papunësisë

08.05.2014 18:19

Maqedonia dhe Shqipëria forcojnë bashkëpunimin në këmbimin e praktikave për masat dhe programet të cilat do të ndikojnë në uljen e papunësisë...

Maqedonia dhe Shqipëria forcojnë bashkëpunimin në këmbimin e praktikave për masat dhe programet të cilat do të ndikojnë në uljen e papunësisë.
 
Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nga Shqipëria dhe  përfaqësuesit e Agjencisë për Punësimit në Maqedoni, thanë se ky bashkëpunim do të jetë efektiv dhe mund të kontribuojë edhe në unifikimin e sistemeve për lajmërim të vendeve të reja të punës.
 
“Do të vazhdojmë edhe më tutje të kemi një bashkëpunim të ndërsjellë në lidhje me aplikimin e politikave aktive që aprovojmë ne si institucion në R. M. dhe të këmbejmë ide dhe mendime të cilat po fillojnë të realizohen edhe në zyrën kombëtare të punësimit në Shqipëri”, deklaroi zëvendësdrejtori i Agjencisë për Punësim, Abdylsamet Shabani.
 
“Përpiqemi të marrim praktika më të mira nga rajoni. Sigurisht se është më mirë të tentosh të marrësh praktika nga një vend si Maqedonia, sepse ngjajmë shumë në nivel social, ekonomik dhe kulturpr, kemi të njëjtat halle dhe probleme. Është më lehtë që të replikohen programet që gjenden në Maqedoni, se sa ato që shohim në Austri,Gjermani apo Norvegji, vende shumë më të avancuara se ne”, tha drejtori i Zyrës Kombëtare të Punësimit në Shqipëri, Genc Kojdheli.
 
Drejtori i Zyrës Kombëtare të Punësimit në Shqipëri, Genc Kojdheli, tha se Agjencitë e Punësimit nxisin vende të punës, mirëpo barra kryesore i bie qeverive për të krijuar politika të mira të favorizimit të investimeve vendore dhe të huaja, apo dhe liberalizmin e tregut lokal. 
 
FLORIJE KAMBERI