Botë
Kampi në Mytilini, reagon Qeveria greke, migrantët: Nuk ishte kjo Europa që ëndërruam
11.01.2017 14:33
Qeveria greke më në fund ka reaguar pas publikimit të pamjeve tronditëse në kampet e ishullit Mytilini...

Qeveria greke më në fund ka reaguar pas publikimit të pamjeve tronditëse në kampet e ishullit Mytilini, ku qindra emigrantë gjenden në kushte tragjike dhe nën mëshirën e valës së të ftohtit ekstrem.
Kryeministri, Alexis Tsipras, i kërkoi Ministrisë se Mbrojtjes të dërgojë menjëherë një anije ushtarake në ishull, për të strehuar disa qindra prej tyre.
Në një video të organizatës “Mjekët pa kufij”, e publikuar para pak ditësh, duken emigrantët që jetojnë në ishullin Mytilini që bëjnë garë për të mbijetuar në kushtet ekstreme të motit dhe temperaturave disa gradë nën zero.
Ata gjenden në çadra pa ngrohje, të cilat janë të mbuluara nga pothuajse një metër dëborë, ndërsa kushtet sa vjen dhe përkeqësohen.
“Ne do vdesim në këtë të ftohtë, natën e kalojmë pa ngrohje, kjo nuk është humane”,- tha një emigrant.
“Shikoni sa e vogël është kjo tendë, a mund të flihet këtu?”,- theksoi një emigrant.
“Europa ma ka thyer zemrën. Qaj çdo ditë, sepse kam lexuar shumë për Europën, kjo qenka Europa? Tani nuk kam më njeri, këtu është si në xhungël”,- u shpreh një emigrant.
Publikimi i videos bëri që Athina zyrtare të kritikohet nga organizmat ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, e solli sërish në pah gjendjen tragjike në të cilën mbahen emigrantët në kampet në Greqi.
BELINDA KOKA-ADEMI
