Shkupi proteston për lirimin e Haradinajt, në protestë studentë, intelektualë dhe artistë

11.01.2017 15:32

“Xhamadani vija vija, me Ramushin krejt Shqiptaria”.....

“Xhamadani vija vija, me Ramushin krejt Shqiptaria”. Me këtë refren, studentë, profesorë, artistë, gazetarë dhe bashkëveprimtarë të ish- kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, protestuan para Ambasadës së Francës në Shkup.

Ata kanë kërkuar nga autoritetet franceze që të mos bien pre e ndikimeve serbe dhe të lirojnë menjëherë mikun e tyre dhe mikun e komunitetit euroatlantik, Ramush Haradinajn.

“Jemi sot këtu për të kërkuar lirimin e menjëhershëm nga autoritetet franceze të ish-kryeministrit të R. së Kosovës dhe veprimtarit kombëtar, Ramush Haradinajt, dhe njëherit për të dënuar aktin e arrestimit të tij të padenjë, të padrejtë dhe fyes”,- tha Miranda Beqiri.

“Ne ftojmë autoritetet franceze dhe të BE-së që të lirojnë mikun e Francës dhe mikun e  komunitetit euroatlantik, z.Haradinaj”,- u shpreh studenti, Egzon Zendeli.

“Unë besoj në drejtësi dhe kërkojmë që të respektohet parimi i drejtësisë, sepse askush nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtën çështje”,- theksoi profesori, Bujar Ameti.

“Në emër të artistëve shkupjanë kemi dalë për të protestuar në mënyrë paqësore për komandantin e ish-UÇK-së, z.Ramush Haradinajn, që të dëshmojmë për pafajësinë e tij”,- u shpreh valltari, Ilir Loku.

“Kemi dalë të shprehim pakënaqësinë tonë për arrestimin e padrejtë të Ramush Haradinajt dhe shpresojmë se ma shpejt do të lirohet”,- theksoi këngëtari, Agim Hajrullahu.

“Unë jam këtu në emër të shumë artistëve që ndodhen këtu për të protestuar për arrestimin e komandantit, gjeneralin Ramush Haradinaj, të cilit i është bërë një padrejtësi e madhe, i cili mbahet i mbyllur në Francë dhe ne me prezencën tonë këtu do ta çojmë një porosi që sa më shpejtë të lirohet”,- tha këngëtari, Arif Ziberi.

Kjo është protesta e dytë që mbahet para Ambasadës franceze në Shkup. (Naim Ramadani, TVM2)