Maqedoni

Pollogu në fazën portokalli të të ftohtit, përmirësim të temperaturave vetëm të premten

11.01.2017 15:43

Temperaturat e ulëta dhe ftohti i madh për herë të parë kanë futur vendin në fazën alarmante....

Shkupi për disa ditë në mëngjes ndodhet në fazën e verdhë, ndërsa rajoni i Pollogut në fazën portokalli.
 
Fazat alerte nuk janë aspak për t’u anashkaluar, thonë nga Drejtoria për punë hidrometeorologjike. I tërë rajoni i Pollogut, si Tetova, Gostivari, Kërçova dhe Makedonski Brodi do të mbeten në fazën portokalli deri ditën e enjte. 
 
“Faza e verdhë  paraqet rrezik potencial nga temperaturat e ftohta, ndërsa faza portokalli paraqet rrezik edhe më të madh. Këto faza ditëve të fundit janë regjistruar si në orët e vona të natës ashtu dhe gjatë ditës. Edhe nesër vendi do të jetë kryesisht në fazën e verdhë të alarmit, do të kemi temperatura nën mesataren dhe ato do jenë prej minus 20 gradë celsius deri minus 9 në mëngjes, ndërsa në rajonin e Shkupi temperatura minimale do të jetë minus 18 gradë celsius”,- tha sinoptikania, Kostadinka Arsovska.
 
Autoritetet shëndetësore i kanë liruar gratë shtatzëna dhe të moshuarit e rajonit të Pollogut nga puna, ndërsa të tjerëve u rekomandohet kujdes i veçantë. 
 
“Gratë shtatzëna dhe personat e moshuar mbi 60 vjeç në zonën e Pollogut janë të liruar nga puna, ndërsa punëtorët të cilët punojnë nën qiell të hapur duhet t’u bëhet riorganizimi i orarit të punës. Personat që jetojnë në vendet ku alarmi është në fazën e verdhë, u rekomandohet të mbrohen, të mos qëndrojnë jashtë pa nevojë, të konsumojnë sa më tepër lëngje të ngrohta dhe të vishen me rroba të trasha”,- u shpreh drejtoresha e Shtëpisë shëndetësore- Shkup, Tanja Baevska - Vuçkoviq.
 
Rritje të temperaturave dhe përmirësim të motit pritet prej ditës së premte. Sinoptikanët për këtë vikend paralajmërojnë reshje të reja të borës dhe shiut me intensitet të ulët dhe gjithashtu temperatura jo më të ulëta se 2 gradë celsius gjatë ditës.     
 
REXHEP QAMILI