Botë
Serbia pret ekstradimin e Haradinajt, shqiptarët në protesta kërkojnë lirimin e tij
11.01.2017 16:46
Me moton “Haradinaj është Kosova”, si dhe “Kundër fyerjes dhe padrejtësisë”, qytetarë të shumtë të organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës...

Me moton “Haradinaj është Kosova”, si dhe “Kundër fyerjes dhe padrejtësisë”, qytetarë të shumtë të organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës protestuan duke kërkuar lirimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, të burgosur në Francë tashmë prej një jave në bazë të një fletëarresti të Serbisë.
Protesta u mbajtën në Mitrovicë, Prizren, Gjilan, Pejë, Gjakovë e Ferizaj, një ditë përpara se Gjykata franceze të shqyrtojë çështjen dhe të marrë një vendim.
“Shpeshherë ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së iu është bërë padrejtësi, duke i akuzuar për nëpër gjykata të ndryshme. Komandanti, lideri i shquar politik dhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, iu përgjigj me dinjitet drejtësisë ndërkombëtare. Dy herë radhazi dëshmoi pafajësinë e tij dhe të Kosovës në Gjykatën e Hagës, edhe sot Serbia bën përpjekje për të njollosur UÇK-në dhe liderët e saj”,- deklaroi kryetari i AAK-së në Pejë, Fatmir Gashi.
U protestua edhe në Tiranë, ku forumet rinore të partive politike dhe shoqëria civile u mblodhën para Ambasadës së Francës.
Derisa qytetarët shqiptarë po arrijnë të koordinojnë veprimet e tyre përmes protestave, deputetët e Kosovës dështuan dje në miratimin e një rezolute përmes të cilës ligjvënësit e Kosovës do të kërkonin lirimin e Haradinajt nga paraburgimi.
Ministria e Drejtësisë në Serbi ka kërkuar edhe zyrtarisht ekstradimin e Haradinajt në Beograd.
Vendimi pritet të merret të enjten, kur Haradinaj edhe një herë do të dalë para trupit gjykues.
GYLTENE SINANI
