MAQEDONI
Kriza ekonomike shpërngul të rinjtë
08.05.2014 18:39
Si pasojë e krizës ekonomike që ka mbretëruar në mbarë Evropën, viteve të fundit janë regjistruar një numër i madh migracionesh...
Si pasojë e krizës ekonomike që ka mbretëruar në mbarë Evropën, viteve të fundit janë regjistruar një numër i madh migracionesh.
Vetëm nga Portugalia në 5 vitet e fundit, për të kërkuar mirëqenie ekonomike janë shpërngulur rreth 120.000 persona, prej të cilëve mbi gjysma në ish-koloninë e tyre të mëparshme. Kështu shprehet njohësi i këtyre rrethanave, John Fond, nga Wall Street Journal. Lëvizjet e gjeneratës së re në kërkim të një të ardhme më të sigurt financiare, janë prezent edhe në Maqedoni.
Ajo që duhet të bëjnë gjeneratat e reja sipas Fond, është që ato të krijojnë një linjë komunikimi me gjeneratat e vjetra, që të bëhen plotësime për rritje më të lartë ekonomike, të cilat do të jenë me shpresëdhënëse për rininë e vendit.
“Ajo që të rinjtë duhet të bëjnë është t’i bindin patjetër gjeneratat e vjetra, që ata t’i përdorim metodat moderne për një rritje më të lartë ekonomike. Rritja ekonomike determinon shoqëri më paqedashëse dhe redukton tensionin mes shtresave të ndryshme shoqërore. Maqedonisë i duhen njerëz që do të hapin biznese të vogla në vend, inovacione dhe hapësirë që të rinjtë të mund t’i plotësojnë nevojat e tyre”, deklaroi nga Wall Street Journal, kolumnisti John Fond.
Nga ana tjetër, të rinjtë shprehen se vizioni i tyre për të ardhmen nuk i përket këtij Shteti. Madje sipas tyre, të rinjtë e talentuar hasin në barrierë burokratike për të krijuar bizneset e tyre.
“Unë personalisht nuk e shoh të ardhmen time në Maqedoni, sepse Shteti nuk krijon kushte të nevojshme për perspektivat e nevojshme këtu në vend”, u shpreh një studente.
“Rinia nuk e shef të ardhmen në Maqedoni, nuk janë aq optimist për ardhmërinë e tyre, vet gjendja momentale, kriza, i bën që të mendojnë kështu, të largohen prej Shtetit”, tha një student.
“Shteti nuk ofron kushte të mjaftueshme që të rinjtë ta zhvillojnë biznesin e tyre”, theksoi një studente.
Kolumnisti i Wall Street Joiurnal, John Fond, njëherit theksoi se papunësia si problem kyç edhe në disa vende të Evropës, ku për shembull merr Greqinë që arrin në 70 %, Spanjën 50 %, dhe Italinë 35%, ku thotë se janë paralajmërim për sfidat e brendshme me të cilat do të përballet rinia e këtyre vendeve, por edhe Evropa në përgjithësi.
ZEJXHANE OSMANI
