Novi Sad, 22 të lënduar nga përplasja e dy trenave
Të paktën 22 persona janë lënduar mbrëmë gjatë përplasjes së një treni udhëtarësh dhe një tjetri që transportonte mallra në afërsi të qytetit serb, Novi Sad...
Sipas drejtorit të Ndërmarrjes hekurudhore “Srbijavoz”, Jugosllav Joviq, gjatë aksidentit janë lënduar rëndë katër persona, ndërsa 18 të tjerët kanë kaluar me lëndime më të lehta.
“Të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën, por tani për tani nuk kemi informata se sa prej tyre do të mbahen akoma në spital”, – tha Joviq.
Sipas burimeve nga Ministria serbe e Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Infrastrukturës, aksidenti ka ndodhur në momentin kur treni i udhëtarëve, që ka qarkulluar në relacionin Novi Sad – Sombor, është përplasur në vagonin e fundit nga kompozicioni transportues që ka lëvizur para tij.
Gjatë përplasjes treni i udhëtarëve ishte me një shpejtësi prej 15 kilometrave në orë. Tani për tani nuk janë bërë të ditura arsyet e përplasjes dhe pse të dy trenat lëviznin në të njëjtin binar.
