Botë

Ramush Haradinaj lirohet me kusht, reagime në Prishtinë dhe Beograd

12.01.2017 13:58

Kreu i AAK, Ramush Haradinaj është lënë në liri me kusht...

Është liruar me kusht ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Gjykata në Colman të Francës, pas shqyrtimit të dokumentacionit për rreth një orë, ka vendosur që Haradinaj të lihet i lirë me kusht që të mos dalë nga Franca dhe të lajmërohet tek autoritetet dy herë në javë, ndërsa atij i është konfiskuar edhe pasaporta. Paraprakisht, Haradinaj i hodhi poshtë akuzat të cilat tha se janë të motivuara politikisht nga Serbia. “Këto akuza vijnë nga Serbia, janë thjesht politike. Ajo që po bëni ju këtu është abuzim i të drejtave të njeriut”,- iu tha Haradinaj gjykatësve në gjuhën frënge. 
 
Nga anën tjetër, avokatja e Haradinajt, Rachel Lindon, ka kërkuar nga gjykatësit që të mos e pranojnë kërkesën e Serbisë për ekstradim, pasi që, siç ajo tha “Serbia nuk ka të drejtë legale të kërkojë ekstradimin e z. Haradinaj”.
 
Ndërsa Arianit Koci, avokati i liderit të AAK-së, ka sqaruar se lirimi me kusht i Haradinajt do të jetë në fuqi derisa të shqyrtohet kërkesa e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt.
 
“Kjo kërkesë do të shqyrtohet në një periudhë nga 18 deri në 40 ditë, që do të thotë se për aq kohë Haradinaj nuk do të mund të kthehet në Kosovë”,- ka sqaruar Koci.
 
Partia e Haradianjt, AAK, ka mbetur e pakënaqur nga lirimi me kusht.
 
“Ne konsiderojmë se vendimi që ai të lirohet nga paraburgimi, por jo edhe t’i lejohet kthimi në atdhe, nuk është drejtësi e plotë. Ne apelojmë tek organet e drejtësisë në Francë që të përshpejtojnë procedurat dhe t’i japin fund çfarëdo mase kundër Ramush Haradinajt, meqë ai i ka spastruar të gjitha pretendimet për krime lufte në procesin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi”,- thuhet në reagimin e AAK-së. Qëndrim të ngjashëm kanë edhe partitë tjera dhe institucionet në Kosovë. 
 
Por, kështu nuk mendojnë zyrtarët në Beograd. Ministria serbe e Drejtësisë ka bërë të ditur se procedura e ekstradimit për Ramush Haradinajn do të vazhdojë. Derisa kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë për të premten në orën 10, ku pika e vetme e rendit të ditës do të jetë lirimi i Haradinajt dhe reagimi i Serbisë për këtë. 
 
Ndryshe, Ramush Haradinaj u arrestua më 4 janar me fletëarrest të Serbisë nën akuzën se gjatë periudhës së viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte kundër popullatës civile serbe.
 
GYLTENE SINANI