Botë
Japoni, stuhi dëbore, bllokohet veriu i vendit; Britani, era arrin shpejtësinë 125 km në orë; Australi, temperatura 40 gradë, ulet në 27 vetëm gjatë natës
12.01.2017 14:33
Një masë e ftohtë ajri ka goditur Japoninë duke bllokuar në tërësi veriun e vendit...

Në prefekturën Hokaiku era që arriti shpejtësinë 126 km në orë, nuk lejon ekipet të pastrojnë rrugët nga bora dhe akulli. Rajoni ka 24 orë i bllokuar dhe banorët janë edhe pa energji elektrike. Autoritetet i lajmërojnë qytetarët të mos dalin në rrugë pa nevojë, pasi në zonat malore parashikohen edhe ortekë.
Edhe Britania ka probleme me erën e fuqishme që në disa zona arriti shpejtësinë 125 kilometra në orë. Mijëra banesa kanë mbetur pa energji elektrike, shumë fluturime ajrore janë anuluar. Pemë të rrëzuara mbi automjete e mure të shembura, kjo është tabloja e krijuar nga era. Një urë pranë Edinburgut është mbyllur pasi një kamion u aksidentua si pasojë e stuhisë së fuqishme. Era e fortë ka shkaktuar dëme të shumta, por fatmirësisht deri tani nuk ka persona të lënduar.
Por, derisa hemisfera veriore po vuan nga temperaturat e ulëta dhe stuhitë e dëborës, në Australi të gjithë po ankohen nga vapa. Në Sidnej termometri shënon 40 gradë celsius dhe të gjithë u janë drejtuar plazheve. Edhe gjatë natës, termometri nuk bie nën 27 gradë, duke shënuar netët më të nxehta që nga viti 1968. Përveç temperaturave të larta, vazhdon edhe thatësira e zgjatur që është shoqëruar me zjarre.
GAZMEND REXHEPI
