Maqedoni
Në Kinotekën e Maqedonisë, ekspozitë e piktorëve sirianë
12.01.2017 16:16
Në Kinotekën e Maqedonisë u hap Ekspozita e pikturave "Ikje për të nesërme më të mirë" nga artistët sirianë...

Në Kinotekën e Maqedonisë u hap Ekspozita e pikturave "Ikje për të nesërme më të mirë" nga artistët sirianë, Shergo Musa dhe Nazli Abdu, e punuar gjatë qëndrimit të tyre nëntë muaj në Maqedoni me fëmijët e tyre në Qendrën pranuese për transit “Vinojug” të Gjevgjelisë.
Pikturat paraqesin shumë dhimbje e mesazhe, përjetime lufte, si dhe shtegtimin për një jetë më të mirë e më të sigurt.
“Inspirimin e vizatimeve e mora nga ngjarjet e luftës në Siri, aty ku e humba shtëpinë dhe shumë familjarë. Atje kam pikturuar portrete, pejsazhe dhe çdo gjë tjetër që më ka inspiruar”,- deklaroi refugjati sirian, Shergo Musa.
Ekspozita organizohet nga zyra e UNCHR-së në Shkup dhe Qendra për menaxhim me kriza.
“Me ekspozitën deshëm të tregojmë vetëm një pjesë të vogël të talentëve refugjatë që njohuritë e tyre i praktikojnë në shtetet e tjera kur largohen nga luftërat”,- u shpreh përfaqësuesi i UNCHR – Shkup, Mohamed Arif.
“Ka shumë qasje negative ndaj refugjatëve, ka shumë ksenofobi dhe me anë të artit dhe njerëzve të këtillë mund të promovojmë idenë e mirësisë, idenë e artit për paqe në botë dhe për siguri për të gjithë sirianët”,- theksoi drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Agron Buxhaku.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 25 janar të këtij viti.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
