Maqedoni

Qytetarët e Shkupit: Disa rrugë dhe trotuare, të papastruara

12.01.2017 16:21

Disa nga rrugët dhe trotuaret e kryeqendrës vazhdojnë të jenë me borë dhe ngrica...

Qytetarët shprehen të pakënaqur nga mospastrimi i borës, duke theksuar se çdoherë kur dalin nga shtëpia duhet të jenë të kujdesshëm se mund të rrëshqasin dhe të marrin ndonjë lëndim. Por, edhe pse temperaturat janë rreth 20 gradë nën zero, ata thonë se janë të detyruar të dalin përsëri për t’i kryer obligimet e tyre të përditshme. 
 
“Rrugët nuk janë të pastruara, as kripë nuk hedhin, asgjë, por në ditë  ka 10 persona që mund të rrëzohen dhe të thyejnë këmbën apo krahun, vetë kam qenë prezent kur kam parë persona që janë rrëzuar. Në të gjitha anët krejt akull është”,- u shpreh një qytetar.
 
“Rrugët nuk janë të pastruara, por obligimet e përditshme duhet të kryhen”,- tha një qytetar.  
 
“Vështirë është shumë, por patjetër duhet të dalim. Duhet të kemi kujdes se ku shkelim, por edhe nëse e thyejmë këmbën duhet 2 mijë euro. Rrugët janë të pastruara, por jo edhe aq sa duhet. Detyrat çdo ditë duhet t’i kryejmë çdo ditë duhet të dalim”,- tha një qytetar.  
 
“Pas 10 ditëve kanë dalë për ta pastruar, sot i pashë duke pastruar”,- potencoi një qytetar.  
 
Shitësit në tregun e gjelbër në Shkup thonë se malli po ngrihet nga temperaturat e ulëta, ndërsa këtyre ditëve numri i blerësve është shumë i vogël. 
 
“I mbulojmë me batanije, por përsëri malli ngrihet, d.m.th. asgjë nuk ndihmon”,- deklaroi një shitës.
 
“Nuk ka blerës, pasi është shumë ftohtë”,- u shpreh një shitës.  
 
Enti Hidrometeorologjik i Maqedonisë njofton se në Maqedoni do të kthehen reshjet e borës nga dita e nesërme dhe të njëjtat do të ndalojnë të dielën në mesditë. Prej të hënës temperaturat do të fillojë të ngrihen, ndërsa moti do të karakterizohet me të reshura të kohëpaskohshme, njoftojnë nga Enti Hidrometeorologjik i Maqedonisë.
 
REJHANE BUSHI-METAJ