Maqedoni

Zjarr në Bozofcë të Tetovës, shkrumbohen dy kasolle, dëmtohen edhe dy shtëpi

12.01.2017 16:39

Natë e tmerrshme ka qenë ajo e djeshmja për disa familje në fshatin Bozofcë të malësisë së Tetovës si pasojë e një zjarri masiv...

Nga ky zjarr që u shkaktua në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Bozofcë u shkrumbuan dy kasolle, njëra prej të cilave së bashku me bagëtitë që ishin brenda kasolles, ndërsa nga zjarri u dëmtuan edhe dy shtëpi. Banorët shprehen të shqetësuar nga ajo që ndodhi.
 
“Zjarri ka shpërthyer nga ora dy e gjysmë. Vetëm kur erdhën banorët më treguan se është ndezur, por kur dolëm ai veç më kishte mbaruar. Janë djegur katër lopë dhe një kalë. Viçi, lopët, kali janë djegur të gjithë. Kemi pasur 700 kilogram drithëra...”,- deklaroi banori, Samet Esati.
 
Komandanti i Brigadës kundër zjarrit në Tetovë, Uka Aliti, thotë se pas lajmërimit nga banorët e fshatit Bozofcë për një zjarr të madh, zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje dhe me ndihmën e banorëve kanë luftuar më shumë se katër orë me zjarrin dhe kanë arritur ta lokalizojnë, duke shpëtuar edhe një shtëpi të banuar, të cilës kishte filluar t’i digjej kulmi.
 
“Kemi dalë në vendngjarje, u bënte fjalë për kat objekte të gjitha, ishin nën flakë të zjarrit, ku tre prej tyre ishin mini ferma, ku fatkeqësisht njëra mini fermë tërësisht është djegur me bagëti, tre lopë dhe tre kuaj, të cilët ishin djegur me gjithë objektin. Ishte e kapluar nga zjarri edhe një shtëpi banimi, ku banorët ishin brenda, mirëpo me angazhimin tonë maksimal kemi punuar mbrëmë jashtëzakonisht në kushte shumë të vështira, me temperaturë minus -27 apo -28. Po, shtëpinë e shpëtuam, banorët e fshatit na kanë ndihmuar shumë. Ne obligimin tonë që e kemi ndaj qytetarëve e arritëm, që në një kohë shumë të shkurtër zjarrin ta vendosim nën kontroll. Katër orë kemi luftuar me flakët e zjarrit, pasi prioriteti ynë ishte që zjarri mos ë zgjerohet”,- tha komandanti i Brigadës kundër zjarrit në Tetovë, Uka Aliti.
 
Nga NJZK-në Tetovë u bëjnë apele gjithë qytetarëve që të kenë kujdes, t’i pastrojnë oxhaqet e shtëpive, por edhe të kenë kujdes edhe nga bombolat e gazit, pasi shumica e rasteve të zjarrit vinë si pasojë e tyre.
 
VISAR SADIKI