MAQEDONI
BE pret një parlament të fuqishëm
08.05.2014 18:52
Parlament i fuqishëm dhe i pavarur, i cili do të kontrollojë pushtetin ekzekutiv dhe do ta nxisë që të merr vendimet më të mira...

Parlament i fuqishëm dhe i pavarur, i cili do të kontrollojë pushtetin ekzekutiv dhe do ta nxisë që të merr vendimet më të mira.
Këto janë pritjet e Brukselit nga përbërja e re parlamentare, e cila pritet të inaugurohet së shpejti.
Në këtë drejtim, ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, theksoi edhe njëherë nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Marsit, i cili parasheh miratimin e Kodeksit etik për deputetët. BE përkrah Maqedoninë për ndërtimin e vlerave evropiane, por i takon Maqedonisë të bëjë punën e vet, ishte i prerë Orav.
“Për të gjithë parlamentet të cilat janë përfaqësuar sot këtu, zbatimi i Kodeksit etik është kriteri bazë për cilësinë e demokracisë. EU qëndron përkrah jush si partner për të tejkaluar sfidat, por nuk mund të përfundojmë punën që duhet të bëni ju. Kjo do vullnet politik, guxim dhe vendosmëri të fortë, posaçërisht mbështetje nga shoqëria. Kërkohet Parlament i fuqishëm, i pavarur nga pushteti ekzekutiv, i cili pyet, teston dhe nxit pushtetin ekzekutiv që të merr vendimet më të mira, të përgatisë ligjet më të mira dhe të demonstrojë demokraci transparente”, deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
Drafti i Kodeksit etik është gati që nga mandati i kaluar, sqaroi kryeparlamentari në largim, Trajko Veljanovski. Ai shpehu bindjen se Kodeski do të miratohet gjatë këtij mandati.
“Në Kuvendin e RM-së bëhen përpjekje të fuqishme për përgatitjen dhe miratimin e një Kodeksi etik cilësor dhe të zbatueshëm. Në mandatin parlamentar paraprak nuk ia dolëm në përpjekjen që ai të miratohet, por besoj se në mandatin që është para nesh, kjo do të përfundojë me sukses”, tha kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski.
Komisioni Evropian, GREKO-s dhe institucionet e tëra ndërkombëtare me relevancë në raportet e tyre për Maqedoninë, i japin rëndësi të veçantë nevojës për miratimin e një Kodeksi etik për deputetët.
Çështja e Kodeksit etik u hap në seminarin për strukturën dhe procedurat në kontekst të Kodeksit etik të deputetëve dhe integritetin e shërbimeve të Parlamentit. Në seminarin i cili u mbajt në Kuvendin Republikan, morën pjesë rreth 50 nëpunës nga më shumë parlamente nacionale, Parlamenti Evropian dhe ODIHR-i.
SHPËTIM NUREDINI
