Maqedoni

ELEM: Furnizim stabil me energji elektrike

12.01.2017 16:46

Edhe përkundër temperaturave të ulëta, nuk ka nevojë për shqetësim të qytetarëve sa i përket furnizimit me energji elektrike...

Edhe përkundër temperaturave të ulëta, nuk ka nevojë për shqetësim të qytetarëve sa i përket furnizimit me energji elektrike, thonë nga kompania ELEM, nga e cila thonë se janë në gjendje që konsumatorët t’i furnizojnë në kohë me rrymë.
 
Drejtori i ELEM-it, Hristijan Mickovski, njoftoi se është mënjanuar defekti në REK Manastir dhe elektrana tani punon me kapacitet të plotë. Sipas tij, vendi në ditët më të ftohta, më 8, 9, 10 dhe 11 janar, mbi 80 për qind të nevojave i ka pasur nga prodhimtaria vendore.
 
Prioritet i ShA ELEM është interesi i qytetarëve dhe furnizimi me energji elektrike, ndërsa është paralajmëruar që rritja e temperaturave ta përmirësojë situatën.
 
“Edhe përskaj këtyre kushteve të vështira të motit të cilat e kanë kapluar rajonin, jo vetëm Maqedoninë, por edhe gjithë Europën, ne përsëri patëm sukses që me kohë t’i sigurojmë të gjitha nevojat për energji elektrike, që të mundet që sistemi të jetë funksional. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen, se do t’u sigurohet e gjithë sasia e nevojshme e energjisë elektrike. Parashikimet se në ditët e ardhshme temperaturat do të rriten, janë optimiste, sepse e gjithë ajo ndikon në stabilitetin e sistemit prodhues të energjisë elektrike”,- deklaroi drejtori i përgjithshëm i ShA ELEM, Hristijan Mickoski.
 
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Mickoski tha se duke e përmbyllur me ditën e sotme, për import të energjisë elektrike janë shpenzuar dy milionë euro, por mungesa financiare do të jetë shumë më e vogël. Importi i energjisë elektrike tani për tani nuk realizohet përmes Greqisë dhe Bullgarisë, por vetëm përmes Serbisë. 
 
ERSAN PAJAZITI