Maqedoni
Heshtje për formimin e qeverisë, vazhdojnë përplasjet VMRO-LSDM; LSDM: do të prononcohemi pas VMRO-së
12.01.2017 16:59
Përderisa heshtja mbi formimin e qeverisë vazhdon, VMRO – DPMNE dhe LSDM s’pushojnë me akuzat e ndërsjella...

VMRO-DPMNE ka kërcënuar LSDM-në me fillimin e procesit të desorosoizimit. Nga partia e Gruevskit akuzojnë LSDM-në dhe SOROS-in se mënyrë sistematike i korruptojnë gazetarët dhe mediat, duke shkatërruar kritikën konstruktive dhe bllokimin e zbardhjes së proceseve me të kaluar të errët. Arritja më e madhe e LSDM-së dhe SOROS-it është revolucioni i paguar destruktiv, thonë nga partia e Gruevskit.
LSDM i është kundërpërgjigjur akuzave të tilla me verdiktin e popullit që, sipas tyre, i ka dhënë fund politikave destruktive të Gruevskit, duke zgjedhur ndryshimin për një qeveri të re. I gjithë publiku vendor dhe ndërkombëtar është i njoftuar se po fillon procesi i kthimit të jetës së qytetarëve, shtojnë nga LSDM.
Ndërkohë që nga LSDM thonë se nuk do të komentojnë platformën e partive politike shqiptare përderisa VMRO-DPMNE nuk prononcohet e para.
“Fillimisht të prononcohet VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski, të cilit i është dhënë mandati për formimin e qeverisë. Pasi që ata të thonë fjalën e tyre, atëherë do të prononcohemi edhe ne”,- thonë nga LSDM.
VMRO-DPMNE pritet të fillojë negociatat me partitë shqiptare për formimin e qeverisë së re, pasi që lideri i saj, Nikolla Gruevski, e ka marrë mandatin nga kryetari, Gjorge Ivanov.
MERAL ISMAILI
