Maqedoni
Klinika e fëmijëve në Shkup, si pasojë e gripit vdesin dy fëmijë
12.01.2017 17:19
Dy fëmijë të moshës 3 dhe 4 vjeç, njëri nga Kërçova dhe tjetri nga Gostivari, kanë vdekur nga gripi...

Autoritetet shëndetësore informojnë se këta dy fëmijë të hospitalizuar në Klinikën e Fëmijëve në Shkup kanë humbur jetën si pasojë e komplikimeve të shumta shëndetësore që ka shkaktuar gripi.
“Fëmijët janë pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pas diagnostifikimit të gjendjes së tyre u është dhënë terapi e nevojshme, duke përfshirë edhe tamiflunë, dhe është bërë gjithçka, mirëpo për shkak të komplikimeve të rënda shëndetësore me organet respiratore dhe sistemin e sipërm nervor, ata kane vdekur. Fëmija i parë ka vdekur brenda 24 orësh, ndërsa i dyti pas 5 ditësh”,- deklaroi neurologu në Klinikën e fëmijëve në Shkup, Filip Duma.
Nga Instituti i Shëndetit Publik, ndërkohë, bëjnë me dije se deri më 8 janar janë regjistruar 8.067 persona të ri të sëmurë nga gripi, ndërsa numri i përgjithshëm i të sëmurëve nga fillimi i sezonit të gripit deri më sot është rritur në 23.843.
Numri më i madh i të sëmurëve nga gripi edhe gjatë javës së parë të janarit është regjistruar në Shkup, Strumicë, Veles, Kavadar dhe Manastir.
Mjekët u rekomandojnë qytetarëve të jenë shumë të kujdesshëm dhe të paraqiten në kohë te mjeku në rast se ndjejnë disa prej simptomave të këtij gripi.
Për dallim prej viteve të kaluara, gripi i sivjetshëm në të shumtën e rasteve sulmon sistemin qendror nervor dhe u krijon ndezje të lartë organeve respiratore.
REXHEP QAMILI
