Maqedoni

LSDM: do të heqim taksën radiodifuzive; VMRO-DPMNE: LSDM tenton shkatërrimin e Servisit radiodifuziv

12.01.2017 17:48

LSDM ka përsëritur sot qëndrimin se me ardhjen në pushtet do ta heqë taksën radiodifuzive...

LSDM ka përsëritur sot qëndrimin se me ardhjen në pushtet do ta heqë taksën radiodifuzive, duke theksuar se kjo është një nga masat për uljen e shpenzimeve për jetë të qytetarëve.
 
Sipas LSDM-së, me heqjen e taksës radiodifuzive do të lirohen qytetarët nga pagesa e detyrueshme për të cilën në dhjetor janë përgatitur mbi 47.000 vendime.
 
“Televizioni i Maqedonisë do të financohet nga buxheti dhe nga mjetet e tjera, nga të ardhurat e operatorëve kabllovikë dhe nga të ardhurat e realizuara me shitjen e  programit të prodhuar nga RTM. Nuk do të ketë reklama komerciale në Televizionin e Maqedonisë, përveç për programet e blera ku është i detyrueshëm reklamimi i sponsorëve. RTM gjithashtu do të prodhojë program për shfrytëzimin e teknikave të veta dhe potencialet kadrovike për nevojat e tij, ose do t’ia shesë radiodifuzerëve të tjerë komercialë”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së. 
 
Por, nga VMRO-DPMNE vlerësojnë se bëhet fjalë për ide absurde dhe të pamatura me të cilat do të shkatërrohej Servisi nacional radiodifuziv.
 
“LSDM dëshiron të bëjë gjithçka që ta shkatërrojë Servisin radiodifuziv nacional si në kohën kur nuk jepte paga nga 7-8 muaj, shpallte tepricë teknologjike dhe i linte 500 familje pa bukë. Në qëllimet e veta atëherë e parandaloi Unioni radiodifuziv evropian, i cili e vendosi TRD pikërisht në kohën e LSDM-së, midis tjerash edhe si mënyrë që të ruhet pavarësia e servisit nga ndikimet partiake nëse do të shfrytëzoheshin mjete nga buxheti”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
 
BESIM ABDULLAI