Maqedoni
BDI shqyrton katër opsionet për pjesëmarrje në ekzekutiv; VMRO legjitimon Gruevskin që të fillojë bisedimet; LSDM: mbi 600 mijë votues zgjodhën ndryshimin
12.01.2017 18:07
Kryesia e BDI-së është mbledhur në selinë e partisë në Reçicë për të shqyrtuar katër opsionet e mundshme për formimin e Qeverisë së re...

Kryesia e BDI-së është mbledhur në selinë e partisë në Reçicë për të shqyrtuar katër opsionet e mundshme për formimin e Qeverisë së re dhe mundësinë për zgjedhje të reja, alternativa të deklaruara nga vetë kreu i partisë, Ali Ahmeti, pak ditë më parë.
Konform deklaratës së njëjtë, Ahmeti ka marrë legjitimitetin e partisë që ai vetë të jetë negociuesi, ndërsa bisedimet e para do të jenë me VMRO-DPMNE-në.
Edhe Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së i ka dhënë legjitimitet të plotë kryetarit të partisë, Nikolla Gruevskit, që të fillojë negociatat për formimin e qeverisë.
“VMRO-DPMNE dhe Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” fituan numër më të madh të votave të qytetarëve dhe është imperative që të respektohet vullneti i shumicës që votoi për programin “Realisht” dhe projektet e parapara në të. Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së i dha legjitimitet të plotë kryetarit Gruevski për fillimin e bisedimeve për formimin e qeverisë së re, të cilat duhet të mbështeten në baza parimore, duke ruajtur interesat shtetërore.” – thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Përderisa, VMRO-DPMNE thirret në 450 mijë votuesit e saj, LSDM thotë se mbi 600 mijë votues zgjodhën ndryshimin dhe dhanë votën kundër qeverisjes së Gruevskit, prandaj ajo pretendon të formojË qeverinë e re të vendit.
SHPËTIM NUREDINI
