Ekonomi

Sektori bankar në vitin 2016 shënoi rritje të aktiviteteve kreditore

12.01.2017 18:37

Fundi i vitit 2016 në sektorin bankar përfundoi me rritjen e aktiviteteve kreditore në mesin e bizneseve dhe qytetarëve...

Banka Popullore  publikoi vlerësimet e fundit për 2016, të cilat tregojnë rritje të kredive më shumë se sa pritej.
 
Duke përfshirë edhe muajin nëntor, borxhi i përgjithshëm i qytetarëve ka arritur deri në 2,1 miliard euro, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve bëjnë pjesë në kreditë konsumatore.
 
Në nëntor shuma e përgjithshme e kredive të ndara nga bankat ka qenë 4.4 miliard euro dhe në krahasim me janarin e vitit 2016 ka ulje për 25,8 milion euro, por në nivel vjetor është regjistruar rritje. 
 
“Rritja vjetore e kredive të përgjithshme në masë të madhe dalin nga rritja e kredive në denarë dhe kredive në denarë me klauzolë valutore, derisa kontributi i kredive devizore u zvogëlua”- thonë nga Banka Popullore.
 
Sipas profesorit universitar, Neritan Turkeshi, pritet stabilizim i sektorit bankar, por nga ana tjetër edhe ngadalësim të eksportit dhe investimeve.
 
“Viti në fjalë 2016 u mbyll me një inflacion 1,7%. Në anën tjetër kemi depozitat të cilat kishin një luhatje të lehtë, por pritet që në vitin 2017 të kemi balancim të depozitave dhe në tremujorin e fundit të vitit të kemi një rritje të lehtë. Pra, bankat do të vazhdojnë të japin kredi edhe për qytetarët edhe për ndërmarrjet, por kreditet për qytetaret priten të jenë më të larta në krahasim me vitet tjera dhe pritet diku prej 6 deri në 7% të jetë kjo përqindje në lidhje me dhënien e kredive”,- deklaroi profesori universitar, Neritan Turkeshi.
 
Në strukturën valutore, me 3,3 miliard euro dominojnë kreditë në denarë, ndërsa pothuajse 800 milion euro janë kredi me klauzolë devizore.
 
Rezultatet e anketës për aktivitetet kreditore në krahasim me pritjet e bankave për kuartalin e katërt tregojnë për lehtësime të mëtutjeshme të kushteve për kredi në të dy sektorët me rritjen neto të kërkesës si për amvisëritë ashtu edhe për qytetarët, thonë nga Banka Popullore.
 
Përfshirë edhe muajin nëntor të vitit 2016, borxhi kreditor i firmave ka arritur në 2,3 miliard euro.
 
GAZMEND KURTISHI