MAQEDONI
Selanik, takim i shefave të diplomacive të ballkanit perëndimor
08.05.2014 18:58
Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike, agjenda e zgjerimi...

Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike, agjenda e zgjerimi, progresi që kanë shënuar vendet kandidate drejt familjes së madhe evropiane, si dhe interesat e përbashkëta lidhur me integrimin e vendeve aspirante në BE, kanë qenë temë e bisedimeve në konferencën ndërministrore në Selanik, në pjesëmarrje të shefave të diplomacisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, ministrave të punëve të jashtme të 28 vendeve anëtare të BE-së, si dhe në prezencë të eurokomisarit për Zgjerim, Shtefan Fyle. Ministri i Jashtëm, Popovski, mes tjerash gjatë prezantimit të tij ka theksuar kushtet dhe faktet që favorizojnë Maqedoninë në rrugën e integrimit në BE.
“Pikërisht në këtë qytet janë krijuar themelet dhe janë përcjellë rekomandimet se vendet e Ballkanit Perëndimor vendin e kanë në BE. Në ndërkohë Maqedonia ka kaluar dhjetë vite që nga plotësimi i MSA-së, gjashtë vite me radhë pret rekomandim për hapjen e bisedimeve, kështu që nuk ka vend më relevant dhe temë më relevante që të adresohet kredibiliteti i procesit, në aspekt të asaj se cilat janë pritjet e vendit që duhet të anëtarësohet, si dhe cilat janë premtimet e vendeve anëtare të BE-së, veçanërisht të nikoqirit, kryesimit të Greqisë me BE- në”, deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
Popovski gjatë qëndrimit të tij në Selanik, ka realizuar drekë pune me eurokomisarin Fyle dhe me diplomatët e vendeve kandidate për në BE.
Ndërkohë ministrja e Jashtme italiane, Federika Moderini, ka deklaruar se me marrjen e presidencës së BE-së nga ana e Italisë, do të tentohet të shpejtohet integrimi i vendeve ballkanike në BE. Ndërkaq, qëndrimi i përbashkët i shefave të diplomacisë të vendeve të BE-së ka qenë se Ballkani i bashkuar dhe prosperues është interes i BE-së.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
