MAQEDONI

BDI: Bisedimet në fazën e parë

08.05.2014 19:05

Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një reagimi me shkrim...

Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një reagimi me shkrim, ka përgënjeshtruar gjithçka që është thënë në media ditëve të fundit në lidhje me bisedimet mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së.
 
Nga partia e Ahmetit kanë sqaruar  se bisedimet mes dy partive fituese të zgjedhjeve parlamentare, BDI dhe VMRO–DPMNE, janë ende në fazën e parë, atë të harmonizimit të platformave zgjedhore, ku më pastaj do vijojnë fazat tjera. Sipas integristëve, informacionet e plasuara në disa media dhe portale lidhur me pozicionin negociator të BDI-së, janë spekulime. 
 
“Ditët e fundit janë paraqitur në media, portale dhe qarqe të ndryshme politike, spekulime lidhur me pozicionin negociator të BDI-së si parti fituese në kampin politik shqiptar, në negociatat me partinë fituese në bllokun maqedonas, VMRO-DPMNE-në. BDI sqaron opinionin se spekulimet për atë se cilat janë kërkesat e BDI-së për ndarjen e resorëve, janë të paqëndrueshme dhe qëllimkëqija”, thuhet në komunikatën me shkrim të BDI-së.  
 
Ekipet negociatore janë ende në fazën e parë, në atë të harmonizimit të platformave zgjedhore të të dy partive për bashkëqeverisje eventuale, e cila u paraprin dy fazave të tjera si: definimi i parimeve të bashkëqeverisjes dhe ndarja e resorëve. 
 
SANIJE KASAMI